Dhjetëra shpendë të ngordhur janë konstatuar në plazhin e vjetër në Vlorë pasditen e djeshme, (4 janar). Shpendët e ngordhur janë vënë re nga qytetarë të cilët frekuentonin këtë zonë.
Specialistët e veterinarisë kanë shkuar mëngjesin e sotëm për të marr mostra me qëllim analizën e shpendëve të ngordhura, i cili dyshohet që të jetë gripi i shpendëve.
Demir Dervishaj, inspektor veterinar në Drejtorinë e Shërbimit Veterinar Vlorë, në një intervistë për Report Tv, u shpreh se janë marr mostrat dhe do të dërgohen për verifikim.
Sipas tij, nëse konstatohet se është grip shpendësh do merren masa, ndërsa theksoi se ky grip nuk përhapet nga shpendët tek njeriu.
‘Me të marr sinjalizimin nga banorët e zonës përreth ne si drejtori e veterinarisë ngritëm grupe kontrolli për të monitoruar gjendjen. Ne dyshojmë për gripin e shpendëve, por ne morëm mostra dhe do ti dërgojmë për verifikim dhe përgjigjia vjen 3 ose 4 ditësh. Këto që janë gjetur të ngordhura janë shpendë të egra, shpendë uj. Tek shpendët e egra, gripi i shpendëve është në gjendje të fshehur, por tek shpendët e shtëpisë shfaqet në formë epidemie. Urojmë të mos jetë gripi i shpendëve, tek njerëzit nuk është shfaqur, s’kemi pasur raste të tilla. Për këtë sëmundje nuk ka vaksinim, por bëhet vetëm eleminim i atyre shpendëve të prekura’, tha ai.