Këtë verë, e cila përveç se ishte jashtëzakonisht e nxehtë, qytetarët do ta kujtojnë edhe për pritjet për autobusë në stacione në temperaturat mbi 40 gradë celsius, shkruan Alsat.
Pritja për autobus vazhdon edhe sot. Të paren takuam një pensioniste e cila priste mbi gjysmë orë autobusin për të shkuar në mjek ndërsa tjerët ndanin pothuajse fatin e njëjtë.
“Me orë pritet, ja tani sigurisht më shumë se gjysmë orë që pres, s’ka as nëntëmbëdhjetë e as dysh. Ishit në treg? Jo, shkoj për të spitali i armatës, në mjek. A është e vështirë të shkohet në mjek me autobus? Si jo, kur nuk ke veturë patjetër të shkosh me autobus”, tha një qytetar.
“Aspak nuk jam e kënaqur, nuk punojnë as aparatet e as ka rregulla, as për shkuar e as për të ardhur as në autobusët asgjë”, u shpreh një qytetare.
“Pres për në Shuto Orizare, njëzeta tash më dy muaj nuk vjen, kjo është katastrofë, çdo mëngjes me taxi, nuk ka autobusë. Për në punë shkon? Po, për në punë, s’ka autobusë, ky problem duhet të zgjidhët”, theksoi një qytetar.
“Gati një orë e gjysmë që pres, nuk ka autobusë e nëntëmbëdhjetë e njëzetë s’ka aspak, paguajmë mujoren kot, shumë është rende por shpresojmë të bëhet mirë”, tha një qytetare.
Nga qytetaret që pritnin autobusë kishte nga ata të cilët kishin edhe propozim që dënimet e shkaktuara në komunikacion, në vend të pagesave të zëvendësohen me vozitje me autobus.
“Vozitem rregullisht me gjashtëmbëdhjetën dhe aq është e rregullt që duhet të presësh 60 apo 70 minuta.. “Në vend dënimit të komunikacionit që paguajnë t’i dënojnë që një muaj të voziten me gjashtëmbëdhjetën më herët do ti paguajnë dënimet se të presin gjashtëmbëdhjetën, kjo është porosia ime. Gjyqtaret që dëgjojnë këtë le të japin edhe kësi dënime”, u shpreh një qytetar.
Sipas informatave, NQP-së aktualisht i mungojnë rreth 40 autobusë për të respektuar orarin veror ndërsa nga muaji shtator gjendja do të vështirësohet pasi për të zbatuar orarin dimëror të qarkullimit NQP-së i nevojiten rreth 200 autobusë më shumë nga ajo që qarkullojnë aktualisht në baza ditore.
Problem i pa zgjidhur mbetet edhe më tej pagesa ndaj autobusëve privat të cilët vazhdojnë të qarkullojnë me orare të reduktuar dhe atë vetëm pas orës 17:00.