Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti kërkon nga Qeveria e Kosovës që urën e Ibrit në Mitrovicë ta hapë vetëm në koordinim me aleatët, në të kundërtën ekziston rreziku që aty të vendosen trupat e KFOR-it dhe ura sërish të mbyllet për qarkullim.
Haliti për KosovaPress thotë se dialogu me Serbinë do të vazhdojë status-quo pasi palët s’kanë vullnet për zbatim të Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit.
“Ky është qëndrim i ditur botërisht i deklaruar disa herë nga institucionet publike dhe zëdhënësit e BE-së që ura e Ibrit duhet të hapet në kuadër të procesit të dialogut. Ne po jetojmë në disa rrethana të çuditshme ku qeveria është orientuar të merret vetëm me veriun, ndërsa ajo që kemi fituar është që të lahemi vetëm në liqenin e Ujmanit dhe t’i dërgojmë pushuesit për t’u freskuar, por duke u kujdesur me mitraloza. Sidoqoftë ura e Ibrit nuk duhet të krijojë probleme… Me hap urën edhe me mbyllë nuk është mirë. E dyta, ne nëse veprojmë pa u marrë vesh edhe me EULEX, KFOR dhe QUINT-in është problem, pasi mundet me u vendos KFOR-i në urë dhe mund të ketë probleme mes Policisë së Kosovës dhe qytetarëve të Kosovës në veri”, thotë ai.Sipas tij, palët në dialog janë pozicionuar gabimisht andaj edhe e ardhmja e këtij procesi mbetet e paqartë.
Krahas këtyre, Haliti thotë se në bazë të indikacioneve Milan Radoiçiq, përgjegjësi i sulmit terrorist në Banjskë mund të arrestohet së shpejti në Serbi, para vizitës së presidentit së Francës, Emmanuel Macron.