Partizani vijon të vuajë “sëmundjet” e së shkuarës. Skuadra e kuqe e nisi fushatën e ndeshjeve europiane me vetëm një dëmtim, atë të Taipit, që ishte një kontraktim dhe kërkonte pak ditë rikuperimi. Por në harkun e afro dy javëve në skuadër u krijuan boshllëqe të mëdha.
Valentino Murataj pësoi fillimisht në një dëmtim në gju, që e detyroi të dilte nga fusha e lojës kundër Marsaslokut në Maltë. Më pas fieraku u largua. Përveç kësaj Marçelino Preka ka pësuar një dëmtim muskulor, që kërkon kohë të gjatë rikuperimi dhe në fillimin e sezonit shkodrani pritet të mos jetë i pranishëm.
Përveç kësaj, Taipi doli nga fusha në pjesën e parë kundër Iberias dhe ka pësuar një tjetër dëmtim muskulor, shkalla e të cilit pritet të mësohet në ditët në vijim. Andi Hadroj gjithashtu nuk ishte kundër Iberias për shkak të një dëmtimi, sipas klubit, por nuk pritet të mungojë dhe në startin e sezonit kundër Vllaznisë do të jetë në fushë. Me pak fjalë, dëmtimet bëhen sërish “makthi” i Partizanit, që pa t’i përgjysmohet skuadra në harkun e afro dy javëve.
KRIZA NË SULM – Përveç dëmtimeve, Partizani po përjeton një periudhë të vështirë edhe sa i përket situatës së sulmit. Në Europë vetëm Cara dhe Keko gjetën rrjetën, teksa Bintsuka dhe Mba, që konsiderohen sulmues kryesorë, kanë rezultuar tërësisht në hije. Nigeriani aktualisht është investimi më i madh i klubit në skuadrën aktuale, por paraqitjet e tij në fushë në muajt e fundit kanë qenë shumë të vakëta.
Bintsuka gjithashtu nuk ka efektin dhe nuhatjen që kemi parë në sezonin e shkuar në kampionat. Piloto, i ardhur nga merkatoja, është një vlerë e shtuar, por ndikimin e tij në ekip do të mund ta shohim ndoshta pas pak muajsh. E njëjta gjë edhe për Zekën. Pavarësisht se çfarë ndodh në merkato, Partizani pritet ta nisë me “frena dore” kampionatin për shkak të kaq shumë problemeve që janë krijuar.