Tre të dhëna përbëjnë një fakt, fakt është që Liga e Kombeve kthehet në mallkim për Berat Gjimshitin. Për herë të tretë radhazi, kapiteni kuqezi humbet grumbullimin me ekipin përfaqësues duke mos zbritur për asnjë minutë në këtë turne. Kjo është një humbje e madhe për Sylvinho-n pasi prezenca e tij është thjesht e pazëvendësueshme, pavarësisht formës së lojtarëve të tjerë.
Gjimshiti doli i dëmtuar nga takimi kundër Udinesës ndërsa këtë të hënë iu nënshtrua edhe ekzaminimeve mjekësore më të detajuara. Për fat të mirë nuk bëhet fjalë për një thyerje të kaviljes, por sërish goditja e pësuar nuk e lejon të jetë në dispozicion të ekipit përfaqësues për dy takimet e fundit të fazës së grupeve në Ligën e Kombeve.
Mediat italiane bëjnë me dije se gjendja e Gjimshitit do të monitorohet në vazhdimësi, për të gjitha bashkohen në një pikë, qendërmbrojtësi nuk do të udhëtojë drejt Tiranës për t’iu bashkuar Shqipërisë, por do të qëndrojë në Bergamo për të nisur fazën e riaftësimit.