Bashkimi Demokratik për Integrim ka kërkuar sot dorëheqjen e kryeparlamentarit Afrim Gashi.
Nga BDI e kanë quajtur gënjeshtër deklaratën e Gashit për gjuhën shqipe, pasi i njejti tha se gjuha shqipe është gjuhë e përkthyer e jo zyrtare.
Deputetja e BDI-së Arbana Pasholli e shoqëruar nga deputetët tjerë të koalicionit Fronti Europian në një dalje për media tha se në Amendamentin 5 i Kushtetutës përcakton qartë gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare krahas gjuhës maqedonase.
“Pohimi i tij se gjuha e vetëm zyrtare në vend është gjuha maqedonase ndërsa gjuha shqipe është një gjuhë e përkthyer përbën jo vetëm një gënjeshtër të hapur por edhe një tradhti të rëndë ndaj popullit shqiptar, historisë tonë dhe të drejtave tona të fituara me shumë mund. Është tronditëse por jo e habitshme që Gashi një person i përzgjedhur për të shërbyer si kukull në hierarkinë e shtetit, të bjerë kaq poshtë, duke arritur nivele vetëposhtërimi që as anti-shqiptarët më të zjarrtë nuk kanë guxuar t’i prekin.
“ Le t’ia kujtojmë z. Gashi disa fakte të pakundërshtueshme:
• Amendamenti V i Kushtetutës përcakton qartë gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare krahas maqedonishtes.
• Ligji për Përdorimin e Gjuhëve e konsolidon më tej përdorimin e gjuhës shqipe si zyrtare në të gjitha sferat e jetës publike.
• Në praktikë, gjuha shqipe është një komponent i pandashëm i strukturës institucionale, kulturore dhe shoqërore të vendit tonë—një realitet që nuk mund të fshihet nga asnjë akt servilizmi.
Duke mohuar këto të vërteta, Afrim Gashi jo vetëm që ka fyer popullin shqiptar, por ka delegjitimuar vetë postin që mban.
Si Kryetar i Kuvendit, detyra e tij është të mbrojë Kushtetutën, të ruajë harmoninë ndëretnike dhe të veprojë në interes të të gjithë qytetarëve—jo të përçajë, të mbjellë përçarje dhe të ulë dinjitetin e komunitetit të dytë më të madh etnik në vend.
Kjo është një tradhti e përmasave të mëdha. Fjalët e Afrim Gashit tingëllojnë si retorika e atyre që historikisht kanë synuar të margjinalizojnë shqiptarët, të fshijnë identitetin tonë dhe të nëpërkëmbin kontributet tona në këtë shoqëri. e tij tradhtojnë sakrificat e brezave të shqiptarëve që luftuan për barazi, përfaqësim dhe respekt në këtë shtet.
Afrim Gashi nuk përfaqëson askënd veç vetes dhe interesave të ngushta të atyre që e vendosën në këtë pozitë.
Ai nuk është një zë për popullin shqiptar dhe nuk mishëron vlerat, krenarinë apo aspiratat tona. Afrim Gashi ka kaluar një vijë që asnjë shqiptar nuk duhet ta kalojë.
Historia do ta mbajë mend këtë tradhëti, dhe populli shqiptar nuk do ta falë. Kërkojmë dorëheqjen e tij të menjëhershme nga posti i Kryetarit të Kuvendit.
Ai do të mbetet turpi i popullit tonë, i historisë sonë”, deklaroi deputetja Pasholli.