Parlamenti Evropian do të fillojë të hënën në komisionet e tij të specializuara dëgjimet për komisionerët e propozuar evropianë, me anë të së cilave eurodeputetët do të vlerësojnë nëse anëtarët e ardhshëm të Kolegjumit të Komisionerëve zotërojnë aftësitë, pavarësinë dhe përkushtimin ndaj vlerave evropiane – elemente të domosdoshme për të shërbyer si anëtarë të Komisionit të ri Evropian, të drejtuar nga Ursula von der Leyen.
Të parët që do t’i nënshtrohen pyetjeve të eurodeputetëve të hënën pasdite janë sllovaku Maros Sefcovic, komisioneri i propozuar për tregtinë dhe sigurinë ekonomike, marrëdhëniet ndërinstitucionale dhe transparencën, dhe maltezi Glenn Micaleff, komisioneri i propozuar për barazinë ndër breza, rininë, kulturën dhe sportin. Më vonë në të njëjtën ditë, do t’u përgjigjen pyetjeve edhe luksemburguazi Christophe Hansen, komisioneri i propozuar për bujqësinë dhe sektorin ushqimor, dhe greku Apostolos Tzitzikostas, komisioneri i propozuar për transportin e qëndrueshëm dhe turizmin.
Të martën dhe të mërkurën do të dëgjohen nga gjashtë komisionerë të propozuar për çdo ditë, ndërsa të enjten, më 7 nëntor, do të dëgjohen katër komisionerë.
Sipas kalendarit të shpallur nga Parlamenti Evropian, dëgjimet e komisionerëve të propozuar do të përfundojnë më 12 nëntor, ku pritet të përgjigjen gjashtë nënkryetarët ekzekutivë të Komisionit të ardhshëm, përfshirë edhe romunkën Roxana Mînzatu, e cila do të merret me portofolin “Njerëzit, aftësitë dhe përgatitja”.
Para dëgjimeve, Komisioni për Çështjet Juridike i Parlamentit Evropian (JURI) shqyrtoi deklaratat e interesave të kandidatëve për të konfirmuar se nuk ka konflikte të interesit financiar, një prej kushteve të domosdoshme që duhet plotësuar përpara se një kandidat të dëgjohet. Kandidatët do të duhet gjithashtu të përgjigjen ndaj disa pyetjeve të shkruara të përgatitura nga komisionet parlamentare.
Çdo dëgjim zgjat tre orë. Komisioneri i propozuar do të mbajë një deklaratë hyrëse prej 15 minutash, e cila do të pasohet nga pyetje nga eurodeputetët. Çdo grup politik do të ketë një kohë të caktuar, të cilën do ta shpërndajë sipas dëshirës midis anëtarëve të tij që marrin pjesë në dëgjim. Komisioneri i propozuar do të ketë dyfishin e kohës së pyetjes për të dhënë përgjigjen. Para përfundimit të dëgjimit, komisioneri mund të bëjë një deklaratë përfundimtare të shkurtër.
Presidenti dhe përfaqësuesit e grupeve politike (koordinatorët) të komisioneve të përfshira në dëgjime do të mblidhen menjëherë pas përfundimit të tyre. Ata do të vlerësojnë nëse komisioneri i propozuar zotëron kualifikimet e nevojshme për t’u bërë anëtar i Komisionit Evropian dhe për të përmbushur detyrat e portofolit të caktuar. Brenda 24 orëve nga përfundimi i vlerësimit, koordinatorët do të dërgojnë një letër rekomandimi konfidenciale, e cila do të shqyrtohet nga Konferenca e Presidentëve të Komisioneve dhe më pas do t’i kalojë Konferencës së Presidentëve, të përbërë nga presidenti i PE dhe liderët e grupeve politike.
Nëse koordinatorët nuk arrijnë një shumicë prej dy të tretave për të miratuar ose refuzuar një kandidat, ata mund të kërkojnë informacion shtesë nëpërmjet pyetjeve të shkruara ose të përsërisin dëgjimin, me pëlqimin paraprak të Konferencës së Presidentëve.
Dëgjimi shtesë ka për qëllim sqarimin e aspekteve të pazgjidhura dhe nuk mund të zgjasë më shumë se një orë e gjysmë.