Në Debatin e Hapur të Këshillit të Sigurimit për agjendën “Gratë, Paqja dhe Siguria”, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, vuri theksin në hendekun ekzistues mes angazhimeve globale dhe zbatimit aktual të kësaj agjende, veçanërisht në situatën shqetësuese për gratë në zonat e konfliktit.
“Për avancimin e kësaj agjende është e rëndësishme që ne të ndajmë burime të përshtatshme financiare për të mbështetur gratë, veçanërisht ato që veprojnë në zonat e prekura nga konflikti. Është thelbësore të vendosen kuota për pjesëmarrjen e grave në proceset e paqes dhe të përdoren teknologjitë e reja për të përforcuar zërat e grave në proceset e paqes”, nënvizoi ministri Hasani.
Sipas tij, ky investim nuk është thjesht një detyrim financiar por një vendimtar drejt nxitjes së barazisë gjinore dhe fuqizimit të grave në rolet e tyre si katalizatorë për paqen.
Investimi në axhendën e “Grave, Paqes dhe Sigurisë” mbetet një përparësi për politikën e jashtme shqiptare, siç tregoi kontributi i vendit tonë në Këshillin e Sigurimit gjatë dy viteve të fundit.
Shqipëria ka integruar buxhetimin e barazimit gjinor si në nivel qendror ashtu edhe në atë vendor, dhe aktualisht po harton Planin e dytë Kombëtar të Veprimit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë (WPS), duke përforcuar më tej angazhimin e saj ndaj politikave të fuqizimit të grave.
Në prag të 25 vjetorit të rezolutës historike 1325, për axhendën e Grave, Paqes dhe Sigurisë, Shqipëria mbështet plotësisht rekomandimin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, që një e treta e pjesëmarrësve në proceset e ndërmjetësimit dhe paqes të jenë gra, me qëllimin përfundimtar për të arritur barazinë gjinore.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ndodhet në Nju Jork, në kuadër të disa takimeve të rëndësishme që po mbahen në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB).