Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, me datën 23 korrik 2024 ka zbatuar urdhëresën e gjykatëse kompetente, ku janë bastisur 10 lokacione të ndryshme, 8 prej tyre në regjionin e Pejës dhe 2 në regjionin e Prishtinës, nën dyshimin e bazuar se janë kryer veprat penale ‘keqpërdorimi i detyrës zyrtare’, ‘marrja e ryshfetit’, ‘marrja e ryshfetit në sektorin privat’ dhe ‘legalizim i përmbajtjes së rreme’ nga ana e të dyshuarve.
Personat e dyshuar, gjashtë (6) prej tyre persona zyrtarë nga departamenti i patentë shoferëve, Ministria e Infrastrukturës, duke bashkëvepruar dyshohet se kanë vepruar jashtë rregulloreve dhe udhëzimeve të Ministrisë së Infrastrukturës, duke organizuar provime për marrjen e patentë shoferëve jashtë orarit zyrtar të punës, duke përdorur metodën e testimeve në formë fizike dhe duke mos i përfillur format zyrtare elektronike.
Dyshohet se testet janë plotësuar në emër të kandidatëve nga ana e zyrtarëve të njësisë së patentë shoferëve në Pejë dhe të njëjtat në mënyrë të kundërligjshme janë futur në sistem nga ana e zyrtarit të IT-së. Po ashtu tre të dyshuar pronarë të auto shkollave dyshohet se kanë rekrutuar kandidatë dhe kanë siguruar dokumentacion duke falsifikuar dokumentet e nevojshme, me qëllim të futjes së tyre në provim.
Gjatë operacionit policor të bastisjes janë sekuestruar dëshmitë si në vijim: shtatë mijë e tetëqind euro 7800 €, gjashtë telefona mobilë, si dhe materiale të ndryshme lidhur me testime të kandidatëve.
Lidhur me rastin personat e dyshuar janë intervistuar në prezencën e avokatëve të tyre mbrojtës dhe me vendim të prokurorit të lëndës, 6 prej tyre iu është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orëve dhe një person i dyshuar është liruar në procedurë të rregullt për shkaqe shëndetësore. Për tre nga të dyshuarit e përfshirë në rast të cilët nuk janë hasur, Policia e Kosovës do të ndërmarrë veprime të nevojshme për sigurimin e prezencës së tyre.