Të premten në Zubin Potok ka ndodhur një shpërthim në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, duke rrezikuar furnizimin me ujë dhe energji elektrike për qindra mijëra qytetarë të Kosovës. Pas këtij sulmi kanë reaguar ndërkombëtarët.
Të premten ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, e ka dënuar shpërthimin në kanalin e Ibër Lepencit në Zubin Potok.
“Dënoj incidentin e rëndë që shkaktoi dëme në kanalin ujor në Zubin Potok që po privon pjesë të konsiderueshme të Kosovës nga furnizimi me ujë. Unë u kam ofruar ndihmën e BE-së autoriteteve të Kosovës. Ngjarja duhet të hetohet dhe përgjegjësit të vihen para drejtësisë”, ka shkruar Orav në X.
Të njëjtin qëndrim me Orav e ka ndarë emisari i BE’së për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak.
“Pajtohem plotësisht me shefin e Zyrës së BE-së. Ata që janë përgjegjës për sabotimin e infrastrukturës kritike të Kosovës duhet të mbajnë përgjegjësi”, ka shkruar Lajçak.
Ndërsa ministri britanik për Evropë, Stephen Doughty e ka quajtur të tmerrshëm sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit.
Ai ka lavdëruar punën e organeve për sanimin e dëmit.
“Sulmi i tmerrshëm ndaj ujësjellësit të Ibër Lepencit kishte për qëllim të prishte jetën në të gjithë Kosovën. Përpjekjet e suksesshme të punonjësve të emergjencës për të kufizuar dëmet kanë rikthyer infrastrukturën jetike. Duhet të bëhet një hetim i plotë dhe i menjëhershëm. Ata që janë përgjegjës duhet të mbajnë përgjegjësi”, tha ai.
Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë e kanë dënuar ashpër sulmin në Zubin Potok.
Përmes një shkrimi në X, MPJ të Gjermanisë është solidarizuar me Kosovën, duke kërkuar që përgjegjësit të dalin para drejtësisë.
“Gjermania bashkohet me Bashkimin Evropian në dënimin më të ashpër të sulmit terrorist të djeshëm ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës. Solidaritet i plotë me Kosovën. Ata që janë përgjegjës duhet të dalin para drejtësisë”, thuhet në reagimin e tyre.
Ndërkaq KFOR ka thënë se është e rëndësishme që të faktet të vërtetohen dhe që ata që e kryen sulmin të mbahen përgjegjës.
“Misioni i NATO-s, KFOR, dënon ashpër sulmin në tubacionin e ujit të Zubin Potokut, i cili pati një ndikim të rëndë në furnizimin me ujë dhe energji elektrike në veri të Kosovës. Është e rëndësishme që të vërtetohen faktet dhe që autorët të mbahen përgjegjës dhe të sillen para drejtësisë”, ka thënë KFOR.
KFOR tha se ka ofruar siguri në vend dhe zonat përreth dhe se ka ndihmuar edhe në asgjësimin logjistik të mjeteve shpërthyese dhe mbështetje për institucionet e Kosovës.
Ambasada franceze tha se rasti duhet të hetohet e përgjegjësit të dalin para drejtësisë.
“Ambasada franceze dënon ashpër sulmin ndaj infrastrukturës kritike në Kosovë duke dëmtuar një kanal ujor në Zubin Potok që është thelbësor për furnizimin me ujë të Kosovës dhe funksionimin e termocentraleve të Kosovës. Ky sulm duhet të hetohet dhe përgjegjësit të dalin para drejtësisë”.
“Falënderojmë gjithashtu KFOR-in dhe EULEX-in për reagimin e tyre të shpejtë dhe mirëpresin koordinimin me Qeverinë e Republikës së Kosovës”.
Sulmi në Zubin Potok është dënuar edhe nga Italia.
Në reagimin e lëshuar nga Ambasada e Italisë në Kosovë thuhet se Italia qëndron krah Kosovës në përpjekjet për hetim dhe për të kërkuar llogari për përgjegjësit e këtij sulmi të ulët.
“Italia dënon fuqishëm sulmin në kanalin e ujit në Zubin Potok, i cili ka prekur furnizimin me ujë dhe ka rrezikuar shtëpitë. Ne qëndrojmë me Kosovën në përpjekjet e saj për hetim dhe llogaridhënie nga përgjegjësit e këtij sulmi të ulët”, thuhet në reagimin e Ambasadës.