Ndryshimin e një sërë ligjesh e rritje të kapaciteteve për hetimin e krimeve të kryera nga Serbia gjatë luftës, parashihen në strategjinë Kombëtare për drejtësinë tranziocionale. 26 vite pas përfundimit të luftës, qeveria synon që përmes këtij dokumenti, të mbrojë viktimat, të ofrojë drejtësi e të garantojë mospërsëritje të asaj se çka ndodhi deri në vitin 2000. Por ky dokument 85 faqesh po vlerësohet se ka mangësi në përmbajtje, e parasheh veprime të panevojshme.
Me zotimet e qeverisë e me plan-programin e tyre qeverisës, nis dokumenti i strategjisë për drejtësinë tranzicionale për Republikën e Kosovës.
E filluar si nismë në vitin 2021, kjo strategji synon realizimin e të drejtës së viktimave dhe shoqërisë për të vërtetën, reparacionin, drejtësinë dhe garancitë për mospërsëritje të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.
“Qëllimet e Strategjisë janë: adresimi i krimeve të shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut, ligjit ndërkombëtar humanitar dhe krimeve tjera që janë e shkelje e së drejtës ndërkombëtare, për periudhën kohore 1989 –2000, bazuar në parimet dhe vlerat e mëposhtme: Qasjen e përqendruar te viktima; Qasjen gjithëpërfshirëse; Ndjeshmërinë gjinore; Pajtueshmërinë me normat dhe standardet ndërkombëtare; Integritetin dhe paanshmërinë; Pjesëmarrjen dhe fuqizimin; Barazinë dhe mosdiskriminimin; Parimin “mos bëj dëm”.”
Në pjesën ku flitet për historikun e se si nisi lufta në Kosovë, e se si rrodhën gjërat më vonës, përmenden përpjekjet ndërkombëtare e ato vendore, në krijimin e mekanizmave për tu ballafaquar me të vërtetën.
Aty përmendet se iniciativat e ngjashme të ndërmarra në të kaluarën, nuk kishin quar punën deri në fund.
“Iniciativat e mëparshme që synonin kërkimin e së vërtetës nuk i kanë përmbushur mandatet e tyre. Në vitin 2011, Qeveria e Kosovës e themeloi Institutin për Hulumtime të Krimeve të Luftës si institucion publik hulumtues, i cili ishte aktiv deri në vitin 2018. Detyra e këtij Instituti ishte mbledhja, sistemimi, përpunimi dhe publikimi i të dhënave për krimet kundër paqes, krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe aktet e gjenocidit të kryera në Kosovë nga viti 1998 deri në qershor të vitit 1999. Grupi Punues Ndërministror i vitit 2012 për Ballafaqimin me të Kaluarën dhe Pajtimin, ishte mandatuar për të hartuar një strategji kombëtare për drejtësinë tranzicionale në Kosovë. Megjithatë, ky Grup Punues nuk arriti ta realizojë një strategji të tillë,” thuhet në dokument.
Në mesin e veprimeve që parashihen me këtë dokument është edhe krijimi i një komisioni i quajtur presidencial.
“Komisioni Presidencial është mekanizëm i drejtësisë tranzicionale me një mandat specifik, i cili ofron mjete për trajtim të drejtë dhe të barabartë të të gjitha palëve të prekura nga lufta. Mekanizmi i tillë fokusohet në ballafaqimin me të kaluarën, duke i analizuar modelet e ngjarjeve që kanë ndodhur gjatë një periudhe të caktuar. Ky lloj mekanizmi iu jep mundësinë të gjitha palëve të prekura nga lufta që të angazhohen drejtpërdrejt dhe gjerësisht në mbledhjen e të dhënave për përvojat e tyre.”
Në mesin e punëve që duhet bërë institucionet në kuadër të zbatimit të kësaj strategjie është edhe ndryshimi i një sërë ligjesh, e që sipas Bekim Blakajt nga Fondi për të Drejtën Humanitare është e panevojshme.
“Është përmend një numër jashtëzakonisht i madh i veprimeve, dhe bie në sy kushdo që e lexon është paraparë të themi edhe amandamentimi i një mori ligjesh, nuk e di nëse është bërë analiza e duhur dhe është e nevojshme të bëhet amendamentimi i tyre apo jo, gjithashtu në strategji janë futur edhe institucione tjera që tashmë janë krijuar psh parashihet edhe krijimi instituti i krimeve të kryera gjatë luftës,” deklaroi Blakaj.
Sipas këtij dokumenti të hartuar nga Ministria e Drejtësisë, parashihet edhe rritja e kapaciteteve të Prokurorisë Speciale, që heton krimet e luftës si dhe intensifikimi i procesit të zbardhjes së fatit të personave të zhdukur me forcë gjatë luftës.
Strategjia, u miratua nga qeveria në mbledhjen e 13 qershorit të këtij viti./RTV Dukagjini