Liderët e BE-së nuk kanë arritur ende një vendim për një mandat të dytë për Ursula von der Leyen në postin e presidentit të Komisionit Evropian, njoftoi të martën në mëngjes presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, raporton agjencitë ndërkombëtare të lajmeve.
“Qëllimi i sotëm nuk ishte të merret një vendim,” deklaroi Michel për gazetarët pas darkës së punës së liderëve të BE-së, pavarësisht pritshmërive të përhapura për një marrëveshje të shpejtë. “Kjo gjë është planifikuar për javën e ardhshme,” raporton DPA.
Përkundrazi, tha Michel, qëllimi i mbledhjes së së hënës ishte “të kemi një shkëmbim të thelluar të mendimeve”. Ai tha se mbledhja e së hënës ishte “një hap i dobishëm për të përgatitur Këshillin Evropian të ardhshëm”.
Mbështetja politike për von der Leyen do të duhej t’i jepte fund muajve të spekulimeve për personin që liderët e BE-së mund të nominojnë për postin udhëheqës të bllokut, pas zgjedhjeve për Parlamentin Evropian javën e kaluar.
Takimi i liderëve ishte i pari pas zgjedhjeve europarlamentare, në të cilat janë regjistruar fitore për qendrën e djathtë dhe nacionalistët e djathtë, por humbje poshtëruese për presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Olaf Scholz.
Në darkën në Bruksel, 27 liderët kombëtarë të BE-së diskutuan për atë që duhet të udhëheqë organin ekzekutiv të fuqishëm të Komisionit Evropian, atë që duhet të kryesojë mbledhjet e Këshillit Evropian dhe atë që duhet të zërë postin e shefit të politikës së jashtme.
Pritej që ata të emëronin Ursula von der Leyen nga Gjermania për një mandat të dytë në krye të Komisionit Evropian, ish-kryeministrin portugez Antonio Costa si president të Këshillit dhe shefen e qeverisë estoneze Kaja Kallas si shefe të diplomacisë.
Një treshe e përbërë nga von der Leyen, Costa – një socialist veteran – dhe liberale Kallas do të siguronte një ekuilibër politik dhe gjeografik midis funksioneve udhëheqëse, sipas Reuters.
Por presidenti aktual i Këshillit Evropian, Charles Michel, deklaroi se kanë nevojë për më shumë kohë.
“Ishte një bisedë e mirë, (ajo) po shkon në drejtimin e duhur, besoj. Por nuk ka asnjë marrëveshje këtë mbrëmje,” tha ai për gazetarët pas darkës. Michel tha se partitë politike panevropiane kanë bërë propozime për postet dhe se do të duhet më shumë punë për të arritur një marrëveshje. Ai nuk dha detaje rreth këtyre propozimeve.
Liderët pritet të marrin një vendim zyrtar gjatë një samiti që do të mbahet më 27-28 qershor. Von der Leyen do të ketë nevojë për mbështetjen e Parlamentit Evropian, i cili do të votojë në sesionin e tij të parë më 16 korrik.
E gjithë Komisioni prej 27 anëtarësh, përfshirë shefin e politikës së jashtme, gjithashtu ka nevojë për mbështetje parlamentare.
Liderët diskutuan gjithashtu për ciklin e ardhshëm legjislativ pesëvjeçar, me fokus në vlerat e përbashkëta, mbrojtjen dhe konkurrueshmërinë ekonomike. Ata pritet të konfirmojnë udhëzimet e tyre për “agjendën strategjike” gjatë samitit në fund të qershorit.
Së shpejti, liderët duhet të marrin një raport nga Mario Draghi, ish-kryeministri italian dhe presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, për stimulimin e perspektivave ekonomike të BE-së. Në një fjalim të mbajtur të premten, ai deklaroi se blloku komunitar ka nevojë për energji më të lirë dhe një union të tregjeve të kapitalit për të drejtuar ekonomitë private drejt investimeve.