Problematika me hapjen e çerdheve në Likovë dhe Haraçinë dhe deklarata skandaloze e Ministrit Limani, ka shkaktuar debate në Kuvend.
Në mungesë të Ministrit për Politikë Sociale, Fatmir Limanit, deputetja e Frontit Europian, Rina Ajdari, për çerdhet e lartëpërmendura ka diskutuar me Kryeministrin Mickoski.
“Ne presim dhe përcjellim se si do të veprojë Prokuroria, sepse opinioni përmes mediumeve realisht pa një shkelje flagrante publike. Dhe këtu nga ju, nuk kërkojmë asgjë, sepse keni thënë se nuk doni të ndikoni mbi jurisprudencën, por si do t` ia bëni me përgjegjësinë politike? Pyetja është se, a mendoni që është e mjaftueshme kërkimi i fajles publike nga ana juaj që të lahet ky mëkat politik i një ministri tuaj” – Rina Ajdari.
“Kërkimi i faljes ishte për qytetarët e Likovës dhe Haraçinës për shkak të situatës së pakëndshme si rezultat I deklaratave të Kryetarëve të papërgjegjshëm të Komunave. Sa I takon punës së Fatmir Limanit, mund ta vlerësoj me notën më të lartë” – tha Mickoski.
Duke dashur ta lë në harresë problemin me çerdhet dhe deklaratën skandaloze, Limani përmes një reagimi ka njoftuar se prioritet mbetet hapja e vendeve të reja të punës. Njoftoi gjithashtu se 150 edukatorë do të fillojnë me punë vetëm nëpër çerdhe.