Bullgaria paralajmëroi të mërkurën se do të ndërpresë tranzitin e gazit rus nëpër territorin e saj drejt Evropës Qendrore, nëse konsorciumi shtetëror rus Gazprom nuk gjen një mënyrë për të paguar këtë shërbim pa ndërhyrjen e bankës Gazprombank, e cila është sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara, raporton agjencia EFE.
Sipas agjencisë së lajmeve Mediapool, ministri bullgar i energjisë, Vladimir Malinov, dha këtë paralajmërim pasi deklaroi se pret një propozim nga Gazprom për mënyra të reja pagese të tarifave të tranzitit për tubacionin e gazit *Turkish Stream*, që në Bullgari quhet Balkan Stream.
Bullgaria nuk merr gaz në këtë rrugë, por përfiton vetëm tarifa për tranzitin e lëndës së parë përmes territorit të saj. Gazprom ka rezervuar pothuajse të gjithë kapacitetin prej 13 miliardë metra kub në vit të këtij tubacioni, që furnizon me gaz natyror Serbinë dhe Hungarinë përmes Turqisë dhe Bullgarisë.
Sipas ministrit Malinov, detyrimet për muajin dhjetor janë paguar tashmë, por mbetet e paqartë se si do të bëhen pagesat e ardhshme. Kompania bullgare *Bulgartransgaz* “do të respektojë me përpikëri kontratën e saj dhe nuk do të lejojë transportin e gazit natyror nëse shërbimi përkatës nuk paguhet,” deklaroi zyrtari bullgar.
Deri tani, me kërkesë të Kremlinit, këto pagesa bëheshin përmes Gazprombank, një nga bankat më të mëdha në Rusi. Megjithatë, pas vendosjes së sanksioneve nga ekzekutivi amerikan ndaj kësaj banke më 21 nëntor, presidenti rus Vladimir Putin anuloi javën e kaluar detyrimin e importuesve të gazit rus për të paguar ekskluzivisht përmes Gazprombank.
Ndërtuar midis viteve 2017 dhe 2021, segmenti bullgar i *Turkish Stream* u bë funksional më 1 janar 2022, më pak se dy muaj para se Rusia të pushtonte Ukrainën. Që nga ajo kohë e deri në fund të marsit 2024, të ardhurat e *Bulgartransgaz* nga tranziti i gazit rus përmes kësaj strukture arritën në rreth 800 milionë euro.