Zgjedhjet e reja parlamentare në Bullgari, të planifikuara për më 20 tetor, janë shtyrë, njoftoi të hënën presidenti Rumen Radev, transmeton DPA.
Formimi i një qeverie të përkohshme, e cila duhej të organizonte zgjedhjet, dështoi papritur.
Radev refuzoi të miratojë kabinetin e përkohshëm të propozuar nga kryeministrja e përkohshme e emëruar, Gorita Grancearova-Kojareva.
Shkak për mosmarrëveshjen është bërë ministri aktual i Brendshëm, Kalin Stojanov, i cili do të kishte mbajtur postin në qeverinë e re të përkohshme. Megjithatë, presidenti Radev dhe koalicioni liberal-konservator pro-perëndimor Ne Vazhdojmë të Ndryshojmë – Bullgaria Demokratike (PP-DB) e akuzojnë Stojanovin se nuk është në gjendje të organizojë zgjedhje të drejta.
Policët u mblodhën përpara pallatit presidencial dhe disa stacioneve të policisë në disa qytete për të mbështetur Stojanovin.
Ata akuzuan PP-DB-në se ka dashur të dominojë Ministrinë e Brendshme për arsye të politikës partiake në funksion të zgjedhjeve të ardhshme.
Aksionit në Sofje i është bashkuar edhe Gorita Grancearova-Kojareva, e cila ka paraqitur një ankesë në prokurori të përgjithshme, në të cilën akuzon për ‘presion politik’ ndaj saj për të mos mbajtur ministrin Stojanov në qeveri.
Dështimi i kryeministrit të emëruar thellon krizën politike në Bullgari, ku pritet të zhvillohet raundi i shtatë i zgjedhjeve parlamentare në tre vjet e gjysmë, por i mungon një qeveri e përkohshme për ta organizuar atë.
Radhët e atyre nga të cilët presidenti Radev mund të emërojë një kryeministër të ri të përkohshëm janë të kufizuara në një rreth të ngushtë zyrtarësh të rangut të lartë, shton DPA.