Dinamo u mposht në javën e parë të kampionatit nga Egnatia kampione në fuqi dhe si rrallë herë nga klubi kryeqytetas pati një reagim të ashpër ndaj gjykimit.
Presidenti Adrian Bardhi kontestoi fort gjykimin e Eldorjan Hamitit në Elbasan, duke iu referuar episodeve që vendosën ndeshjen, rastit të kartonit të kuq të Dylis, të anuluar më pas për pozicion jashtë loje, si dhe rastit të penalltisë. Blutë nuk janë ankuar kurrë më parë për gjykimin, por këtë herë ndihen të vjedhur. Duke lënë mënjanë gjykimin, Dinamo pati momentet e saj të mira në atë ndeshje, ashtu sikurse hasi dhe vështirësi. Stafi teknik dhe klubi shpresojnë që gjithçka të jetë ndryshe në Ballsh, ku do të luajnë ndeshjen e javës së dytë.
BREGU – Mungoi në ndeshje hapëse të kampionatit Dejvi Bregu, pasi Federata Polake e Futbollit nuk kishte dhënë miratimin në FSHF për sulmuesin vlonjat. Trajneri Mehmeti e quajti problem mungesën e Bregut, të cilin Dinamo do ta ketë në dispozicion për ndeshjen e fundjavës me Bylisin. Ndoshta ai nuk do ta nisë nga minuta e parë, por do të jetë një “armë” e fortë edhe në stol. Në formacion pritet që të rikthehet Baton Zabërgja, i cili kishte kaluar një gjendje virale javën e kaluar dhe e nisi në stol ndaj Egnatias. Ai është një lojtar shumë i rëndësishëm për blutë dhe ky do të jetë një plus për stafin teknik. Me shumë mundësi do të mungojë sërish Klevi Qefalija për shkak dëmtimi. Ai kërkon pak kohë për rikuperimin dhe ndoshta mund të jetë gati për ndeshjen e javës së tretë.
MERKATO – Dinamo vazhdon kërkimet në merkato dhe deri më 31 janar pritet që skuadrës t’i bashkohen edhe 2-3 lojtarë të tjerë. Më i nevojshëm është një mbrojtës qendre, siç u pa edhe në ndeshjen me Egnatian, ku u bënë modifikime në dispozicion. Një afrim pritet të bëhet në mesfushë dhe një tjetër për sulmin, por për momentin nuk ka emra konkretë.