Partia Demokratike prezantoi drejtuesin e fushatës së PD-së për 11 majin. Strategjinë e fushatës për zgjedhje, Berisha ia ka besuar konsulentit të fushatës së Trump, Chris LaCivita, të cilit presidenti i SHBA-së i pagoi 19.2 milionë dollarë.
Por, pse Partia Demokratike i shmanget transparencës? Gjatë prezantimit të LaCivitës, Berisha nuk bëri asnjë transparencë mbi pagesën dhe mbi burimin e parave, e madje i pyetur edhe nga Report Tv jashtë Kuvendit, kryetari i PD nuk zbuloi shifrën sa ka paguar për blerjen e tij. Berisha tha se nuk është marrë ai me negociatat.
“Do i merrni vesh që të gjitha. Nuk ka sekret. Nuk jam marrë me negociatat. Nuk do mbetet asgjë pa u thënë”, tha Berisha.
Kjo ‘blerje’ e Berishës nuk u shpëtoi socialistëve, ku ministri Taulant Balla nga foltorja e Kuvendit u kërkoi transparencë mbi kontratën dhe u tha të deklarojnë në KQZ se sa u kushtoi kontrata me konsulentin e fushatës së Trump.
“Erdhe këtu dhe përmende një zotëri amerikan. Që e ke paguar për punë. Bëni mirë, sipas rregullave të bëni transparent kontratën me zotërinë. Ai shërbim është thjesht me pagesë dhe nuk vlen asgjë tjetër”, vijoi Balla.
Me ironi e komentoi këtë lëvizje të demokratëve edhe deputeti socialist Ilir Metaj, i cili tha me ironi se opozita tashmë do përmbysë rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit.
“E dija që në seancën e sotme do ishte diskutimi rreth vendimit të SPAK, por edhe vendimin e PD për afrimin e një lobisti. As nuk diskutohet që kjo ana këtej e sallës nuk duhej të ishte e gëzuar, më habit ngazëllimi i anës tjetër të sallës, duke shpresuar që vendimi i SPAK, ose blerja e një lobisti amerikan do kthejë mbrapsht të gjithë drejtimin që kjo Shqipëria është duke ecur dhe se rezultatet e 11 majit do përmbysen. Shumë shpejt do jemi në përballje, populli do të dijë të vendosë, jo vetëm populli në Shqipëri, por edhe emigrantët”, tha Metaj.