Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Bjellorusi regjistroi të hënën kandidaturën e Aleksandër Lukashenkos për zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më 26 janar 2025, raporton EFE, duke cituar agjencinë bjelloruse të lajmeve BELTA.
Përveç Lukashenkos, fitorja e të cilit në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 nuk u njoh nga opozita dhe Perëndimi, duke shkaktuar protestat më të mëdha në historinë e kohëve të fundit të vendit dhe një shtypje policore të pashembullt, KQZ ka regjistruar edhe katër kandidatë të tjerë.
Ndër kandidatët është edhe biznesmenia Anna Kanopaçkaia, e cila kundërshton afrimin me Rusinë dhe sidomos Unionin Shtetëror që lidh të dy vendet. Ajo gjithashtu ka kërkuar që vendi të largohet nga aleanca ushtarake post-sovjetike Organizata e Traktatit të Sigurisë Kolektive (OTSK) dhe nga Komuniteti i Shteteve të Pavarura (KSHP).
Në garën elektorale marrin pjesë gjithashtu kryetari i Partisë Liberal Demokrate të Bjellorusisë, Oleg Gajdukeviç, kryetari i Partisë Republikane të Punës dhe Drejtësisë, Aleksandër Juzhniak, dhe sekretari i parë i Partisë Komuniste të Bjellorusisë, Sergej Sirankov.
Sipas KQZ-së, kandidatura e Lukashenkos është mbështetur nga mbi 2.5 milionë votues, pasuar nga ato të Gajdukeviçit (134,472), Sirankovit (125,577), Kanopaçkaias (121,077) dhe Juzhniakut (112,779).
Vendi drejtohet nga Aleksandër Lukashenko që prej vitit 1994.