Tashmë është mbyllur gjysma e sezonit në futbollin shqiptar dhe pas katër muajsh, mund të bëhen disa balance edhe sa i përket ndikimit të lojtarëve të caktuar në skuadrat e tyre.partizaniPartizani në merkaton e verës iu desh të bënte shtatë afrime, nga mbrojtja në sulm, për të zëvendësuar lojtarët e larguar si Sota, Atanaskoski, Maget apo Murataj. Pavarësisht përpjekjeve, mund të themi se lojtarët e ardhur në verë nuk kanë arritur ta mbulojnë boshllëkun e të ikurve dhe zgjidhjet janë gjetur brenda për brenda.
MBROJTJA – Në mbrojtje Partizani afroi Zguron, Osmanllarin dhe Domgjonin. Zguro u largua pa ardhur mirë për shkak të një zënke me trajnerin Veselinoviç dhe nuk pati mundësinë të tregonte nëse ishte lojtar që vlente për Partizanin, apo jo. Osmanllari është “vidhosur” në stol dhe nuk konsiderohet thuajse fare nga Veselinoviç. Ai ka nisur dy ndeshje si titullar dhe vetëm kaq. Më tej trajneri ka luajtur me Hadrojn ose ka përshtatur qendërmbrojtës si Janjeva apo Bytyçi si mbrojtës të djathtë. Ndryshe është situata e Domgjonit, i cili ka fituar shpejt besimin e Veselinoviç dhe po luan rregullisht. Prizrenasi duhet thënë se si mbrojtës i majtë ka bërë paraqitje nën nivel, teksa në qendër ka zhvilluar lojëra korrekte.
MESFUSHA – Edhe pse u larguan dy titullarë si Murataj dhe Maget, Partizani nuk i zëvendësoi me lojtarë me të njëjtën staturë, por gjeti si zgjidhje të rinj si Ismaili apo Kote. Mintongo, i ardhur në huazim me të drejtë blerjeje nga Kameruni, nuk konsiderohet aspak nga stafi teknik. I riu është dërguar të luajë në ekipin B në Kategorinë e Tretë dhe me ekipin e parë nuk ka shkelur asnjëherë në fushë në ndeshje zyrtare. Mateo Shanaj nga Apolonia ishte afrimi tjetër i të kuqve, me të riun, që nuk ka nisur asnjë ndeshje si titullar, por dalëngadalë duket sikur po fiton nga pak besimin e trajnerit Veselinoviç dhe stafit të tij.
SULMI – Në këtë repart u afrua Zeka si një transferim premtues. Ish-sulmuesi i Erzenit, duke përfituar edhe nga fakti se nuk ka asnjë konkurrent tjetër të rolit të tij, ka fituar një fanellë titullari dhe është i vetmi afrim që ia ka dalë ta bëjë këtë. Gjithsesi, shifrat e tij nuk mund të konsiderohen si brilante dhe mund të themi se pritej më tepër nga një lojtar i kalibrit të tij, që ka një të shkuar në klube të mëdha. Nga ana tjetër, Piloto, ashtu si Mintongo, është bërë lojtar fiks i Kalarit në Kategorinë e Tretë dhe nuk ka thuajse asnjë kontribut në ekipin e parë.