Media amerikane shkruan se firma konsultente e strategut republikan, Chris LaCivita, të cilit iu besua kthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë, kishte marrë 19.2 milionë dollarë në vetëm dy vite. Në ceremoninë e prezantimit të tij nuk u tha asnjë fjalë sa kushton marrëveshja, kush, dhe si do paguajë Kryearkitektin e triumfit të Trump.
“Kryeministri aktual nuk është asgjë më shumë vetëm se një kukull i George Soros. Ju nuk mund të jeni kukullat e Sorosit e të jeni një mik i SHBA-së. Është e pamundur. Sorosi ka humbur mbështetjen në SHBA e në të gjithë botën. Ne jemi këtu sot sepse duam të ndihmojmë në zgjedhjen e një kryeministri që është një mik i vërtetë i Shteteve të Bashkuara dhe që do të punojë me sukses me Presidentin Trump dhe Shtetet e Bashkuara”, tha LaCivita në një konferencë për shtyp teksa prezantohej nga Berisha.
Po kush është Chris LaCivita?
LaCivita, 57 vjeç, i hyri politikës pasi shërbeu në Luftën e Gjirit, ku u godit në mjekër nga disa copëza artilerie dhe u nderua me një Zemër të Purpurt. Një konsulent strategjik i njohur, i angazhuar kryesisht në fushatat e Partisë Republikane në Shtetet e Bashkuara. Ai është i njohur për rolin e tij si bashkë-menaxher i fushatës presidenciale të Donald Trump dhe për angazhimet e tjera në strategjinë dhe reklamat mediatike të fushatave politike. LaCivita ka punuar gjithashtu si konsulent për Super PAC-e (Komitetet e Veprimit Politike të Pavarura) të lidhura me Trump-in dhe ka ndihmuar në planifikimin dhe blerjen e reklamave mediatike për fushatat politike.
Ai është i njohur për aftësinë e tij në organizimin e fushatave dhe menaxhimin e mesazheve publike, duke pasur një ndikim të konsiderueshëm në strukturën dhe komunikimin e fushatave republikane. Gjithashtu, LaCivita ka drejtuar firma konsulente dhe ka kontribuar në strategjitë mediatike dhe reklamat për fushata të ndryshme, siç janë Advancing Strategies, firma e tij konsulente.Në fushatën e Trump-it, ku ka pasur një rol kyç në menaxhimin e aspekteve të komunikimit dhe strategjisë mediatike.
Çfarë zbuloi investigimi i medias amerikan?
‘Daily Beast’ një media amerikane e lajmeve dhe analizave, e njohur për raportimin e saj investigative në një shkrim të 15 tetorit 2024, shkruante se firma konsultente e strategut republikan, të cilit iu besua kthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë, kishte marrë 19.2 milionë dollarë në vetëm dy vite. Kjo media fillimisht publikoi shifrën 22 milionë dollarë, por më pas informon se ka bërë një korrigjim të shifrës në 19.2 milionë dollarë.
Kjo është një shifër e majme, por gjithsesi e përmbajtur kur kemi parasysh se fushatat në SHBA, në veçanti kjo e fundit, janë ndër më të shtrenjtat në botë. Problematike shuma mbetet për Shqipërinë, që Berisha prej vitesh e përshkruan si të varfër dhe të grabitur. Ndërkohë në ceremoninë e sotme të prezantimit nuk u dha asnjë detaj se sa kushton kontrata që PD ka firmosur me kompaninë amerikane.
Si u sulmua senatori Kerry?
Chris LaCivita njihet në Shtetet e Bashkuara edhe si drejtues i një nga fushatat më famëkeqe të shpifjeve të politikës amerikane. Rasti lidhet me ish senatorin John Kerry, një ish ushtarak dhe veteran lufte, që kandidoi për Presidentin në vitin 2004. Por menjëherë sapo mori nominimin ai e gjeti veten në mes të një serie sulmesh brutale dhe mashtruese që akuzonin Kerry-n se gënjeu për rekordin e tij ushtarak dhe lëndimet që i kishin fituar medaljet. Tani amerikanët për këto lloj sulmesh të ulëta të drejtuar pikërisht nga këshilltare lukzoz tashmë i Berishës, kanë në leksikun e tyre politik shprehjen “lundrimi i shpejtë me varkë” për të treguar një shpifje të pandershme politike.
Me çfarë parash do e paguajë Berisha dhe PD?
Në shkurt 2024 KQZ shpërndau për Partinë Demokratike 106 milionë lekë si fond vjetor, – e konvertuar në dollarë 1.1 mln $, (96.5 lekë për 1 dollar) – ndërsa pritet të ndahet dhe fondi i posaçëm elektoral. Një shifër krahasimisht shumë e vogël në krahasim me 19 milionë dollarët që Trump ka paguar.
Ndërkohë, ndër vite, Berisha i cili është marrë i pandehur për akuzën e ‘korrupsionit’ për aferën e privatizimit të ish-kompleksit ‘Partizani’, është mbrojtur duke thënë se gjatë karrierës së tij politike pas demokracisë ka arritur të ketë një apartament 30 metra katrorë më të madh sesa ka pasur në diktaturë, pas 30 vitesh aktivitet, dhe 100 mijë euro në llogari.
A do bëhet transparencë?
Në Shqipëri shqetësim mbetet transparenca e burimeve të financimit të partive për zgjedhje, për të cilën është vënë theksi dhe nga ndërkombëtarët. Pas çdo fushate zgjedhore, lindin dyshime që lidhen me saktësinë e raporteve financiare të partive politike, me faktin se kush qëndron pas këtyre financimeve, se sa realë janë donatorët që raportojnë partitë në KQZ apo dhe sa efektive janë rregullat në fuqi.
Shqetësim për financimin e kandidatëve në fushata zgjedhore nga bota e krimit shprehu edhe ambasadori i OSBE-së, duke e cilësuar këtë si rrezik për demokracinë.
A do jetë kontrata objekt hetimi nga SPAK?
Transparenca e financave pritet të jetë dhe në fokus të SPAK, i cili në zgjedhjet e 11 majit do të hetojë krimet zgjedhore. Në planin e masave për hetimin dhe parandalimin e krimeve zgjedhore gjatë zgjedhjeve parlamentare të 11 majit të këtij viti, publikuar në Janar, thuhej se një grup pune më përbërje hetues të hetimit financiar dhe ekspertë të tjerë të fushës në Prokurorinë e Posaçme, do të monitorojnë përdorimin e buxhetit dhe investimet publike, të cilat nuk lejohen të kryhen gjatë periudhës zgjedhore nga subjektet e posaçme.