Deklaratat e ditëve të fundit të kryeministrit shqiptar Edi Rama kanë rrëmbyer vëmendjen e mediave europiane e kryesisht atyre gjermane.
Kështu, media “Braunschweiger Zeitung”, ndalet te çështja e emigrantëve dhe citon kryeministrin të thotë se “ndihma ndaj Italisë shpjegohet përmes marrëdhënies speciale mes dy vendeve tona”. Sipas medias gjermane Welt, “Shqipëria po kontribuon për një përgjigje të përbashkët europiane ndaj sfidës së emigracionit të paligjshëm”.
“Shqipëria pranoi këtë model vetëm me Italinë, por nëse Gjermania kërkon kampe pritjeje për procedurat e azilit, do të duhet të gjejë një partner tjetër”, shkruan Welt, referuar deklaratave të Ramës nga Berlini.
“Berliner Morgen Post” citon Ramën të thotë se “Shqipëria nuk e ka harruar se Italia priti njerëzit tanë kur ne u arratisëm nga ferri i komunizmit në vitet ’90 dhe hapi dyert për qindra mijëra shqiptarë që mbërrinin me anije”.
Gjatë vizitës së tij në Gjermani, Rama është pyetur nga “Berliner Zeitung” nëse Shqipëria e mendon ndonjëherë të tërhiqet nga integrimi Europian dhe t’i bashkohet grupit BRICS, grupim i ekonomive botërore të Brazilit, Rusisë, Indisë, Kinës dhe Afrikës së Jugut.
Kryeministri thekson se “kjo nuk ka për të ndodhur kurrë” dhe se “BRICS është një shaka”.
“Ne duam të jemi pjesë e BE. Procesi i integrimit është një rrugëtim me rëndësi me një qëllim madhor. Nuk ka alternativë tjetër në këtë rrugë. Nuk ka ka arsye për të parë diku tjetër, sepse ne kemi qenë diku tjetër dhe e dimë se si është të jesh atje”, deklaroi Rama.
Më tej, Rama deklaron për ZDF Gjermane se “ne jemi besnikë ndaj BE-së deri në vdekje” dhe se “ne nuk e humbim kurrë durimin, sepse nuk ka alternativë tjetër drejt Bashkimit Evropian”.
Edhe media gjermane “Landes zeitung” citon gjithashtu Ramën mbi përpjekjet e qeverisë së tij në luftën kundër korrupsionit në çdo nivel.
“Ne po e luftojmë sistematikisht me një sërë reformash. Ne po modernizojmë shtetin tonë”, deklaron kryeministri.
“Westfalen Post”, ndalet edhe te ambicia europiane e Shqipërisë, duke iu referuar kryeministrit Rama kur thotë se “ambicia jonë është të arrijmë kërkesat ligjore dhe teknike për anëtarësim brenda 2030”.
Edhe media NRZ, ndalet te deklaratat e Ramës mbi vlerësimet që progres raportet e Komisionit Europian i bëjnë luftës kundër korrupsionit në vendin e tij.