Qeveria e Kosovës dje doli kundër amabsadorëve të vendeve të QUINT-it lidhur me hapjen e urës të Ibrit, kjo pasi këta të fundit i shkuan në zyrë kryeministrit Albin Kurti.
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, pas takimit tha se “Ne përfaqësuesit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, Shtetet e Bashkuara …. u takuam me kryeministrin Kurti për ta informuar që qeveritë tona në konsultim me NATO-n nuk mund ta mbështesin asnjë ndryshim të statusin aktual të urës së Mitrovicës aktualisht”, kurse Qeveria përmes një komunikate tha se ura e Ibrit duhet të hapet, pasi është simbol i lëvizjes së lirë dhe kjo nuk e rrezikon paqen dhe sigurinë, shkruan Reporteri.net.
Pas kësaj deputetë të VV-së i dolën në mbështetje Qeverisë dhe kundër ambsadorëve të QUINT-it.
Por, për këtë çështje ende nuk kanë reaguar tre krerët e partive opozitare, Lumir Abdixhiku i LDK-së, Memli Krasniqi i PDK-së e Ramush Haradinaj i AAK-së.
Abixhiku i LDK-së, postimin e fundit e ka bërë para dy ditësh, pra më 1 gusht ku ka shkruar për bojkotin 1-vjeçar që partia e tij i ka bërë Radio Televizionit të Kosovës.
Krasniqi i PDK-së, postimin e fundit e ka bërë para tre ditësh ku njofton për takimin e zhvilluar me presidenten Vjosa Osmani dhe propozimin e 26 janarit si datë të zgjedhjeve.
Haradinaj i AAK-së, postimin e fundit e ka bërë ditën e sotme ku ka shkruar për 26-vjetorin e rënies së heroinës Aze Brahimaj.
Kujtojmë se zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka deklaruar se kjo çështje duhet të rregullohet vetëm në dialog, teksa emisari evropian, Miroslav Lajçak, muajin e kaluar kishte rikujtuar se hapja e urës në Mitrovicë është subjekt i dy marrëveshjeve të ndërmjetësuara nga BE-ja.
Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash, është pajtuar me një qasje të tillë. Ata kanë rikonfirmuar se çdo vendim në lidhje me urën e Mitrovicës duhet të merret brenda kornizës së dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.
Edhe Gjermania e përkrah BE-në në qëndrimin e saj. Ambasada e Gjermanisë në Kosovës vlerësoi se pavarësisht përpjekjeve të BE-së, ura mbetet e mbyllur për trafik.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ndaj deklaratës së Bashkimit Evropian lidhur me hapjen e Urës së Ibrit.
Nga BE-ja thanë se kjo temë duhet të hapet në dialogun Kosovë-Serbi.
Osmani ka reaguar ashpër, duke thënë se Ura e Ibrit nuk është temë që duhet të hapet në dialog. Osmani thekson se presidenti serb nuk duhet të pyetet për çështjen e integritetit territorial të Kosovës. /Reporteri