Pas dështimi të takimit tre palësh midis kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë të marten në Bruksel, Bashkimi Evropian ka insistuar për një tjetër mundësi për takim të shpejtë midis palëve me shpresën, siç ka thënë, emisari Miroslav Lajcak që të gjendet një zgjidhje për mos marrëveshjet midis Kosovës dhe Serbisë.
“Për keqardhje që nuk iu trajtuam çështjet më urgjente në një format trepalësh sot. Unë mbeten në dispozicion të palëve dhe do të vazhdojmë në javët në vijim”, tha Lajcak.
Por, përfaqësuesit e partisë në pushtet Vetëvendosje thonë se ka pak shpresë për një takim tjetër deri në ardhjen e strukturave të reja brenda Bashkimit Evropian. Deputeti Enver Haliti, vlerëson se Serbia po vendos kushte për takime të cilat nuk janë të përfshira në agjendë.
‘’Serbia po insiston që të imponojë tema në bisedime në Bruksel të atyre temave që i shkojnë për shtati Serbisë. Ka insistim nga BE-ja që të vazhdojnë bisedimet, por qasja e Serbisë se nuk e njohin marrëveshjen nuk dihet nëse është valide marrëveshja. Shpresojmë se me ardhjen e strukturave të reja në BE dialogu të ketë dinamikë të re”, ka thënë Haliti.
Pas dështimit të takimit trepalësh, kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë bënë akuza të ndërjeslla dhe Besnik Bislimi tha se nuk pranuar të diskutohet në Bruksel për kërkesat e Serbisë sic ishin Asociacioni, veriu i Kosovës dhe hapja e urës. Megjithatë në margjinat e dialogut në Bruksel u diskutua për hapjen e urës edhe pse Bislimi nuk kishte treguar për një takim me zyrtarët e NATO-s. Për këtë tregoi përmes një komunikate vetë NATO.
“Në takim mori pjesë ndihmëssekretari i Përgjithshëm i NATO-s për Operacionet, Tom Goffus dhe komandanti i operacioneve civile në Shërbimin e Veprimit të Jashtëm të Bashkimit Evropian, Stefano Tomatin. Takimet u zhvillua në margjinat e dialogut të organizuar nga ndërmjetësuesi Miroslav Lajçak. Goffus theksoi nevojën për zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme [rreth Urës së Ibrit]. Vendimet duhet të merren përmes dialogut, në koordinim në kohë dhe efektiv me komunitetin ndërkombëtar dhe në mënyrë që të mos rrezikohet siguria e komuniteteve lokale apo e trupave të NATO-s”, tha NATO.
Partitë opozitare e kanë kritiuar Qeverinë se detajet e bisedimeve në Bruksel po i mbanë të fshehta. Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane nga LDK, Rrezarta Krasni, tha se janë të shqetësuar për mungesën e transparencës së Qeverisë në dialog”.
‘’ Ju e dini se që nga fillimi kjo Qeveri ka qenë jo transparente në dialog. Por pres javën e ardhshme ta ftoj për raportim kryenegociatorin. Nuk ka shpresë për dialog as për marrëveshje të tjera. Jam shumë e shqetësuar sepse ata nuk din se për çka shkojnë dhe për çka flasin. Deklaratë ndryshe japin në media, ndryshe në facebook dhe ndryshe gjatë raportimit në komisione”, tha Krasniqi.
Kritikave të opozitë se Qeveria po i diskuton cështje e brendshme në dialog me Serbinë iu përgjigj deputeti i VV-së, Enver Haliti.
‘’Jo, asnjëherë Qeveria nuk ka pranuar të diskutohet për urën dhe nuk do të pranoj që të bëhet temë e dialogut në Bruksel sepse kjo temë është mbyllur vite më parë”, tha Haliti.
Kryenegociatori Besnik Bislimi tha pas takimit me Lajçakun se letra e ish-kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, e cila konteston shtetësinë e Kosovës nuk është tërhequr.