Më 28 tetor, katër ditë pas takimit të fundit të Kryenegociatorëve, Andin Hoti, kryesues i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, kishte thënë se në komisionin e përbashkët i cili e monitoron dhe i hapë rrugë zbatimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur, Serbia ka kërkuar Kosova të përfaqësohet nga UNMIK-u dhe me shkurtesën IPVQ, Institucionet e Përkohshme Vetëqeverisëse.
Gati dy javë më vonë, Bashkimi Evropian e ka mohuar të ketë ndodhur ky propozim në Bruksel dhe ka kërkuar që çështja të mos politizohet.
“Çështja u trajtua gjatë takimit të Dërguesve të Posaçëm para dy javëve, me qëllim gjetjen e një mënyre për të kaluar përtej pyetjeve të hapura që mbeten. Ndërsa një marrëveshje është afër, përfaqësuesi Special i BE-së, Lajçak po pret përgjigje për një çështje të fundit të hapur. Përfaqësimi i Kosovës nga UNMIK-u në Komisionin e Posaçëm nuk është propozuar dhe nuk është diskutuar”, ka thënë Peter Stano për Dukagjini.
Përkundër këtij pretendimi, Andin Hoti, prapë insiston se UNMIK-u është përmendur në propozimin e Serbisë.