BDI në një kumtesë për media thotë se “është për keqardhje gjendja në Komunën e Gostivarit dhe Tetovës, që menaxhohen nga Arben Taravari dhe Bilall Kasami, duke qenë në mesin e komunave që nuk menaxhohen mirë aspak dhe që janë të zhytura në borxhe”.
Nga BDI thonë se me një borxh mbi 100 milionë euro, Ndërmarrja Publike për Veprimtari Komunale në Gostivar është e para në listë, e ndjekur nga Komuna e Gostivarit që për 7 vjet rresht vazhdon të thellohet në borxhe.
“Bashkimi Demokratik për Integrim edhe më herët ka alarmuar opinionin për gjendjen kritike financiare të komunave përkatëse dhe se qytetarët e kanë të qartë më se pse mungojnë investimet kapitale në këto komuna. Lidhur me borxhin nuk qëndron aspak më mirë edhe komuna e Tetovës që udhëhiqet nga Bilall Kasami”.
“Ky i fundit në vend që të merret me menaxhimin e komunës, duke garuar me kolegun e tij, kryetarin e Gostivarit, Arben Taravari, se cili po e bën vazalin më të mirë tek shefi i tyre, Mickovski, komuna dhe ndërmarrjet publike vazhdojnë të fundosen në borxhe. Por, nga prijësit e shkeljes së legjitimitetit shqiptarë nuk mund të presim më shumë”.
“VLEN pasi degradoi gjitha të arriturat e shqiptarëve në pushtetin ekzekutiv, ka vendosur që të fundos plotësisht edhe gjendjen e komunave që menaxhojnë, duke mos u angazhuar të përfundojnë asnjë projekt kapital për komunat që qeverisin. Qytetarët nuk meritojnë një keqmenaxhim të tillë”, thonë nga BDI.