BDI përmes një kumtese thonë se kjo Qeveri është e dështuar ku shqiptarët janë të përjashtuar dhe kemi një shtet pa drejtim, sipas BDI-së ata janë garantuesi i barazisë dhe shpresës për të ardhmen!
“Në një kohë kur qytetarët përballen me pasiguri, tensione ndëretnike dhe dështime në çdo sektor të qeverisjes, është e qartë se kjo qeveri pa legjitimitet ka humbur tanimë edhe tërësisht besimin e qytetarëve.
Shqiptarët janë përjashtuar nga proceset vendimmarrëse, janë shkarkuar padrejtësisht nga pozitat kyçe dhe janë shpërfillur në zbatimin e Ligjit për Gjuhët.
Institucionet janë kthyer në vegla politike që iu shërbejnë interesave të ngushta, duke injoruar hallet e qytetarëve.
Mungesa e projekteve zhvillimore dhe stagnimi në integrimet evropiane janë tregues të qartë të një qeverie të paaftë, e cila i ka tradhtuar qytetarët, veçanërisht ata shqiptarë, që sot ndihen të përjashtuar dhe të nëpërkëmbur.
BDI ka qenë dhe mbetet forca e vetme politike që ka garantuar përfaqësimin e barabartë të shqiptarëve, mbrojtjen e të drejtave të tyre dhe zhvillimin e projekteve madhore për vendin.
Sot, më shumë se kurrë, është koha për t’i dhënë fund kësaj qeverisjeje të dështuar dhe për t’u kthyer te stabiliteti, drejtësia dhe barazia.
BDI është dhe do të jetë zëri i qytetarëve, mbrojtësi i interesave të tyre dhe garancia e një të ardhmeje më të mirë për Maqedoninë e Veriut.
Ashtu si gjithmonë, ne do të jemi në krah të qytetarëve, duke punuar për një shtet të barabartë dhe të drejtë për të gjithë” – thonë nga BDI.