Truri i njeriut përmban bazat e “sindromës së zemrës së thyer”, sipas një studimi të ri të kryer nga shkencëtarë italianë në Spitalin Universitar të Foggia-s, transmeton ANSA.
Ekipi i specializuar në mjekësinë bërthamore, kërkimi i të cilit është publikuar në Journal of the American College of Cardiology (JACC): Cardiovascular Imaging, ka zbuluar se kjo sindromë ka një bazë shkencore që ndodhet në zona të ndryshme të trurit.
“Studimi ynë ofron shpresa të reja për trajtimin e kësaj gjendjeje”, kanë deklaruar studiuesit.
Sindroma e zemrës së thyer, e njohur gjithashtu si kardiomiopatia Takotsubo ose kardiomiopatia e stresit, prek papritur muskujt e zemrës, duke e dobësuar atë.
Kjo gjendje shfaqet kryesisht si pasojë e një stresi emocional ose fizik të rëndë.
Gjendja është e përkohshme dhe shumica e njerëzve shërohen brenda dy muajve, vëren ANSA.