Kategoria e Parë e basketbollit për femra ka kompletuar dje javën e 15-të me përballjen ndërmjet Flamurtarit dhe Elbasanit.Vlonjatet bënë detyrën në shtëpi ndaj një kundërshtari që regjistron vetëm humbje. Kështu Flamurtari triumfoi me rezultatin e thellë 74-43 (24-9, 22-19, 15-5, 13-10) në një sfidë pa histori, të kontrolluar gjatë të gjithë kohës. Duke parë nivelin modest të ekipit elbasanas, trajneri i vlonjatëve, Agim Dalipi, u dha minuta edhe lojtarëve të stolit që rrallë herë shkelin në parket në takime të rëndësishme. Samra Omerbasic meritoi vlerësimin MVP, duke udhëhequr vendëset me 20 pikë, 6 kërcime dhe 4 asistime. Për Elbasanin u dallua Dea Sali, autore e 22 pikëve, 4 kërcimeve dhe po kaq asistime. Falë kësaj fitoreje dhe pushimit këtë javë të Tiranës, Flamurtari ngjitet i vetëm në krye të renditjes, por me një takim më shumë se vajzat bardheblu.
Ndryshe ndeshja e Vlorës, përballja e së shtunës me Vllaznisë dhe Teutës ishte me rivalitet dhe luftë të fortë sportive deri në sekondat e fundit. Një takim mes dy kundërshtareve direkte për zonën “play off”, ndërsa në fundit festoi ekipi bregdetar. Kështu Teuta triumfoi me rezultatin 76-80 (21-20, 25-25, 17-16, 13-19) në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”, duke e bërë diferencën vetëm në periodën e fundit. Shkodranet, me një ekip komplet vendor, të përbërë nga vajza të reja, provuan të rivalizonin deri në fund ndaj durrsakeve që luajnë me 4 basketbolliste të huaja në gjirin e tyre. Megjithatë në momentet kyçe të sfidës, kualiteti më i lartë e skuadrës mike bëri diferencën. Aniylah Bryant me 34 pikë, Shernecia Martin-Scott me 20 dhe Jainaya Jones me 16 pikë udhëhoqën Teutën në Shkodër. Për vajzat kuqeblu nuk mjaftoi e zakonshme Bernarda Rreshpja, protagoniste me 40 pikë, mbështetur nga Melida Hykaj me 17 dhe Ingrit Dashja me 14 pikë.Pas kësaj ndeshje, Teuta dhe Vllaznia ndajnë vendin e katërt dhe të pestë me bilanc të njëjtë prej 5 fitoresh dhe 8 humbjesh secila. Kujtojmë që java e 15-të u hap të premten me derbin Partizani-Studenti, takim i fituar nga të kuqet në shifrat 82-70.ARTIN