Kryetarja e Komisionit të Apelimit në Partinë Demokratike, Adriana Kalaja, është kapur në flagrancë nga Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit, duke kryer veprën penale të ndërtimit pa leje. Ajo është denoncuar nga qytetarët e pallatit ku banon në zonën e Kodrës së Diellit.
Në procesverbalin nr.5262 datë 7.8.2024 është konstatuar ndërtimi pa leje me sipërfaqe 24m2 në banesën e zonjës Kalaja në zonën e Kodrës së Diellit. “U konstatua vendosje pergolat me strukturë metalike me përmasa 3m gjerësi dhe gjatësi 8m, në total 24 m2. Gjatë kontrollit të ushtruar në objekt, u konstatua vendosje tende pergolat e paparashikuar në projekt”, thuhet në procesverbalin e firmosur nga tre inspektorë.
Sipas procedurës ligjore të parashikuar në këtë rast, Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit ka marrë vendimin për prishjen e këtij objekti, duke vendosur në dijeni edhe palën që ka kryer shkeljen ligjore. Për këtë rast është njoftuar edhe Drejtoria Rajonale e Policisë së Tiranës, e cila ka nisur hetimin për ndërtim pa leje. Ndërkohë që IMT i ka dorëzuar palës që ka kryer shkeljen edhe gjobën e përllogaritur në bazë të shkeljes së kryer.
Kohët e fundit, institucionet shtetërore kanë shtuar patrullimet dhe verifikimet në zonat e ndryshme nisur nga fakti se shumë banorë, ashtu si edhe rasti i Adriana Kalasë, duan të përfitojnë nga momenti kur institucionet janë me staf të reduktuar, prej nisjes së pushimeve, për të kryer ndërtime të paligjshme.
Kjo nuk është hera e parë që Adriana Kalaja përballet me drejtësinë. Vetëm muajt e fundit, ajo është nën hetim mbi disa ngjarje të ndryshme për disa vepra penale nga Prokuroria e Tiranës, si “Thirrje publike për veprime të dhunshme” dhe “Kanosje për shkak të detyrës”.