Disa ditë na ndajnë nga zgjedhjetpresidenciale në SHBA dhe agjencitë e inteligjencës në Uashington paralajmërojnë për raste të dezinformimit të synuar që vijnë nga Rusia, raporton agjencia dpa të shtunën.
Agjencitë amerikane kanë fajësuar Rusinë për një video që “përshkruante në mënyrë të rreme” individë që pretendojnë se janë nga Haiti dhe që votojnë ilegalisht në disa qarqe të shtetit të Georgias.
Në një video tjetër, akuzohet në mënyrë të rreme “një individ i lidhur me ekipin presidencial demokrat se ka marrë ryshfet nga një artist amerikan”.
Agjencitë nuk kanë dhënë detaje në deklaratën e tyre se për kë bëhet fjalë, por shtypi amerikan ka raportuar se videoja që filloi të qarkullonte në fund të kësaj jave sugjeronte se nënpresidentja Kamala Harris dhe bashkëshorti i saj kishin marrë një ryshfet prej 500.000 dollarësh nga reperi Sean ‘Diddy’ Combs.
Në një deklaratë të përbashkët, Zyra e Drejtorit për Inteligjencën Kombëtare (ODNI), Byroja Federale e Hetimit (FBI) dhe Agjencia për Sigurinë Kibernetike dhe të Infrastrukturës (CISA) kanë fajësuar “aktorët e influencës ruse” për videot.
Këto incidente kanë qenë pjesë e një “përpjekjeje më të gjerë” të Moskës “për të ngritur pyetje të pabazuara mbi integritetin e zgjedhjeve në SHBA dhe për të krijuar ndasi mes amerikanëve”, vlerësuan agjencitë.
Sekretari i shtetit në Georgia, Brad Raffensperger, i cili është përgjegjës për zgjedhjet në këtë shtet kyç, deklaroi se videoja mbi Georginë “është e rreme dhe është një shembull i dezinformimit të synuar që kemi parë në këtë proces zgjedhor, por edhe në zgjedhje të tjera. Kjo është ndoshta një ndërhyrje e huaj që përpiqet të mbjellë përçarje dhe kaos në prag të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024.”
Raffensperger i bëri thirrje pronarit të platformës X, Elon Musk, si dhe drejtuesve të platformave të tjera të mediave sociale, të heqin videon. Klipi fillimisht ishte postuar nga një llogari anonime që më parë ishte raportuar për shpërndarje të dezinformimit të supozuar me origjinë ruse. Videoja është fshirë ndërkohë.
Deri në ditën e zgjedhjeve presidenciale amerikane, më 5 nëntor, pritet që Rusia të vazhdojë të krijojë dhe të publikojë përmbajtje mediatike që synon të minojë besimin në procesin zgjedhor, shkruan EFE, duke përmendur se nuk është hera e parë që ka paralajmërime për ndërhyrje të huaja në këtë cikël zgjedhor, përfshirë ato nga Kina dhe Irani.
ODNI deklaroi në fillim të tetorit se deri në atë moment nuk kishte zbuluar përpjekje të jashtme për të sulmuar integritetin e vetë sistemeve të votimit.