Teoritë tradicionale në radhët e astronomëve sugjerojnë se vrimat e zeza – ato objekte jashtëzakonisht të dendura me një gravitet aq të fuqishëm sa as drita nuk mund të shpëtojë – formohen si rezultat i shpërthimit të dhunshëm, të quajtur supernovë, të një ylli masiv në fazën e fundit të jetës së tij. Megjithatë, duket se disa vrima të zeza mund të lindin në një mënyrë më të butë, raporton të martën Reuters.
Studiuesit kanë identifikuar një vrimë të zezë që duket se është formuar përmes kolapsit të bërthamës së një ylli të madh në fazën e fundit të ekzistencës, por pa shpërthimin e zakonshëm. Kjo vrimë është e lidhur gravitacionalisht me dy yje të zakonshëm.
Në të kaluarën janë vëzhguar vrima të zeza që orbitojnë me një yll tjetër ose me një vrimë tjetër të zezë, sisteme të quajtura binare, por ky është rasti i parë i njohur i një sistemi të trefishtë, i përbërë nga një vrimë e zezë dhe dy yje.
Ky sistem ndodhet rreth 7,800 vite dritë larg Tokës, në konstelacionin Cygnus (Mjellma). Një vit dritë është distanca që përshkohet nga drita për një vit, që është rreth 5.9 trilionë kilometra.
Vrima e zezë, e quajtur V404 Cygni, është studiuar intensivisht që nga konfirmimi i saj në vitin 1992. Më parë, besohej se ajo orbitonte së bashku me një yll të vetëm, por të dhënat nga observatori hapësinor Gaia i Agjencisë Hapësinore Evropiane (ESA) kanë treguar se ajo ka, në fakt, dy shoqërues.
Studiuesit kanë raportuar se V404 Cygni, me një masë të vlerësuar në rreth nëntë herë më të madhe se ajo e Diellit, është në proces të konsumimit të një prej shoqërueseve të saj, një ylli me një masë rreth 70% më të madhe se ajo e Diellit. Ky yll orbiton rreth vrimës së zezë çdo gjashtë ditë e gjysmë, në një distancë prej vetëm një të shtatës së distancës që ndan Tokën nga Dielli.
Vrima e zezë duket se po tërheq materie nga ky yll, i cili është rritur në përmasa duke arritur fazën e gjigandit të kuq, pjesë e procesit të plakjes së tij natyrore.
Studiuesit kanë zbuluar gjithashtu një yll tjetër, rreth 1.2 herë më masiv se Dielli, i lidhur gravitacionalisht me këto dy yje, por shumë më larg, duke orbituar rreth tyre çdo 70,000 vjet, në një distancë prej 3,500 herë më të madhe se distanca që ndan Tokën nga Dielli.
Arsyeja për të cilën studiuesit dyshojnë për një proces të formimit të butë të vrimës së zezë është e thjeshtë. Sistemi i trefishtë do të ishte shkatërruar, thonë ata, nëse ylli që u bë vrimë e zezë do të kishte shpërthyer.
Mendohet se një vrimë e zezë formohet kur një yll i madh e konsumon të gjithë karburantin bërthamor dhe kolapson nga graviteti i vet, duke shkaktuar një shpërthim të madh që nxjerr shtresat e jashtme në hapësirë. Bërthama e mbetur e shkatërruar formon vrimën e zezë.
Megjithatë, disa astronomë kanë propozuar një mënyrë tjetër të formimit të vrimave të zeza, të quajtur “kolapsi direkt”, ku ylli rrëzohet pasi konsumon të gjithë karburantin e tij, por nuk shpërthen.
“Ne i quajmë këto ngjarje ‘supernova të dështuara’. Praktikisht, kolapsi gravitacional ndodh shumë shpejt për të lejuar që supernova të shpërthejë dhe, në vend të saj, ndodh një implozion – që tingëllon super dramatik dhe i mrekullueshëm, por është ‘i butë’ në kuptimin që nuk nxjerr materie,” tha astronomi Kevin Burdge nga Massachusetts Institute of Technology, autori kryesor i studimit të botuar në revistën Nature.
Studiuesit kanë vlerësuar se anëtarët e këtij sistemi të trefishtë janë formuar rreth 4 miliardë vjet më parë si yje të zakonshëm. “Sistemi i trefishtë nuk do të mund të mbijetonte nëse vrima e zezë do të lindte me një ‘goditje’ të fortë, kështu që kjo zbulim na tregon se të paktën disa vrima të zeza formohen pa një ‘goditje’ – që nënkupton një implozion të qetë në vend të një supernove shpërthyese,” tha gjithashtu Kareem El-Badry, astronom në California Institute of Technology (Caltech) dhe bashkautor i studimit.
Ky sistem nuk do të mbetet për gjithmonë me tre anëtarë, duke marrë parasysh se vrima e zezë po konsumon yllin më të afërt. Kjo sugjeron se disa sisteme binare të njohura me një vrimë të zezë dhe një yll të zakonshëm mund të jenë formuar fillimisht si një sistem i trefishtë, me vrimën e zezë që më vonë përpin një nga shoqëruesit e saj.
“Njerëzit kanë parashikuar, në fakt, se binarët me vrima të zeza mund të formohen kryesisht përmes evoluimit të trefishtë, por deri tani nuk ka pasur prova të drejtpërdrejta,” shtoi El-Badry.