Analistët politikë presin pasoja të tjera përpos mosanëtarësimit në Këshill të Evropës nëse draftstatuti i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe nuk përcillet në Gjykatën Kushtetuese. Në mesin e pasojave, ata përmendën mbajtjen në fuqi të masave sanksionuese
Njohës të çështjeve politike e diplomatë vlerësuan të shtunën se Kosova mund të përballet me pasoja nëse nuk jep sinjale pozitive në drejtim të themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, konform kërkesave të vazhdueshme të ndërkombëtarëve.
Analisti politik Arbnor Sadiku thotë se Kosovës mund t’i mbahen në fuqi edhe masat e BE-së, në rast se kryeministri Albin Kurti mbetet në qëndrimin se nuk pranon kushtëzimin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës me Asociacion.
“Pasojat kryesore mund të jenë që Kosovës të mos i largohen sanksionet që i janë vendosur nga bashkësia ndërkombëtare, mospranimi në Këshillin e Evropës… Ky është rreziku kryesor”, ka thënë Sadiku.
Edhe ish-ambasadori në Austri, Blerim Canaj, tha të premten në “Interaktiv” se kjo situatë mund të sjellë edhe masa të tjera shtesë ndaj Kosovës.
“Momentalisht, do të kemi status quo. Nëse nuk ecën diçka në atë drejtim (për Asociacionin v.j.), do të jemi në status quo. Po shihet nga ndërkombëtarët që do të ketë presion të mëtutjeshëm, ndoshta mund të ketë edhe masa të tjera”, ka thënë ai.
Kosova ka kaluar të gjitha hallkat e vendimmarrjes për anëtarësim në Këshillin e Evropës, përpos në Komitetin e Ministrave që mblidhet javën e ardhshme. Fillimisht Franca, e pastaj edhe Gjermania e Italia e kanë kushtëzuar votën pro në Komitet me dërgimin paraprak në Gjykatën Kushtetuese të draftstatutit të Asociacionit që e ka propozuar BE-ja.
Analisti politik Fidan Ukaj e cilëson të padrejtë kushtëzimin.
“Kosovës po i bëhet një padrejtësi e madhe në rrugën e saj për anëtarësim në Këshillin e Evropës duke i vendosur kushte, siç është dërgimi i draftit për interpretim në Gjykatën Kushtetuese, gjë të cilën as raporti i zonjës Bakojani e po ashtu as Asambleja Parlamentare nuk e kishin si parakusht në rrugën e Kosovës për anëtarësim”, ka thënë Ukaj.
Por, Arbnor Sadiku ka vlerësim tjetër dhe thotë se drafti duhet përcjellë në Kushtetuese.
“E vetmja gjë që Kosova do të duhej ta bënte është që këtë draft ndërkombëtar që e ka pranuar ta miratojë në Qeveri dhe ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese. Gjërat janë shumë të thjeshta, dhe nuk ka nevojë që të kemi lojëra politike të cilat ne nuk mund t’i fitojmë si Kosovë në raport me bashkësinë ndërkombëtare”, ka thënë ai.
Komiteti i Ministrave do të mblidhet më 16 e 17 maj dhe në agjendë nuk e ka aplikacionin e Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës, ndonëse pro anëtarësimit kanë votuar më shumë se 80 për qind e deputetëve të Asamblesë së Përgjithshme.