Sivjet është zhvilluar edicioni i 19-të i garave ndërkombëtare të muzikantëve të rinj “Ars Kosova”
Në nderim të violinistes së ndjerë Drita Dida është ndarë sefte çmimi që mban emrin e saj. Familja Dida ua ka dorëzuar atë Liza Jasharit dhe Hana Abdullahut. Kurse midis 130 garuesve, violinistja e re Sibora Resyli është laureate e çmimit absolut “Grand Prix” të garave ndërkombëtare të muzikantëve të rinj “Ars Kosova” për edicionin e sivjetmë
Midis 130 garuesve, violinistja e re Sibora Resyli është laureate e çmimit absolut “Grand Prix” të garave ndërkombëtare të muzikantëve të rinj “Ars Kosova” për edicionin e sivjetmë. Në “Solfeggio” ka marrë pikët maksimale, bashkë me garuesen Noa Cana. Ka dalë e para edhe në një garë më të gjerë, midis kategorish të ndryshme.
“Ky çmim është shumë i rëndësishëm për mua, sepse më jep motiv dhe mundësi të vazhdoj. Më bën të lumtur që kam pasur mundësi t’i bëj krenare mësuesen time, si dhe shokët e shoqet”, ka thënë violinistja Sibora Resyli, e cila ndjek mësimet në klasën e Shqipe Bajraktarit.
Sivjet në nderim të violinistes së ndjerë Drita Dida është ndarë sefte çmimi që mban emrin e saj. Familja Dida ua ka dorëzuar atë Liza Jasharit dhe Hana Abdullahut.
Mentor Dida, vëllai i Drita Didës, e ka dhënë çmimin. Ka thënë se muzika e ka mundësinë ta bëjë një vend më të mirë.
“E kemi nisur këtë fond si përkrahje të përvitshme për artistët që kanë njëfarë emocioni, perspektive për ta çuar përpara këtë fushë të artit dhe të kontribuojmë”, është shprehur ai, derisa ka thënë se çmimi me emrin e violinistes është një lloj misioni të cilin ajo e kishte lënë në gjysmë.
“Drita ka qenë violiniste dhe ka studiuar edhe me Sihanën. Ka shkuar në Gjermani, pastaj dhe kur është kthyer e ka pasur një iniciativë të cilën e pati quajtur ‘Blue Stars’. Ka qenë në Malishevë për t’i mësuar fëmijët të luajnë në violinë. Ajo sot na ka shtyrë që t’i përkrahim dy të rinj”, ka thënë Mentor Dida.
Dida vdiq në vitin 2014 në moshën 31-vjeçare. E rritur në një familje muzikantësh, qysh e vogël ajo do të zbulonte dashurinë për muzikën. Që nga viti 1990 e deri në vitin 2002 ajo do të mbante orë private me profesoreshën Sihana Badivuku. Më pas, katër vjet të shkollës së mesme i kreu në Prishtinë në Shkollën e Muzikës në drejtimin për violinë. Gjermaninë e zgjodhi si vendin ku do t’i vazhdonte studimet. Dida kishte diplomuar në Universitetin e Munsterit për violinë. Me t’u kthyer nga Gjermania ajo më pas u bë pjesë e Filarmonisë së Kosovës, si violiniste e parë.
Hapja e një shkolle të muzikës dhe angazhime të tjera që pati, ishin arsyeja që Dida vendosi të largohej nga Filarmonia. Në vitin 2011 ajo hapi shkollën e muzikës në Suharekë dhe Malishevë, “Bluestar” bashkë me dy motrat e saj, Jeta dhe Bardha Dida.
14 vjet më parë kompozitori i njohur kosovar Akil Koci kishte themeluar një çmim, i cili jepet në kuadër të kësaj gare. Këtë traditë ai e vazhdon edhe sivjet. Çmimi është ndarë për Sibora Resylin, Lindi Pashën, Milot Mehmetin, Blenda Kelmendin dhe Leonor Nebiun.
Një tjetër çmim është dhënë nga festivali “Chopin Piano Fest”. Profesoresha e pianos, Lejla Pula, e cila ka qenë kryetare e jurisë së konkurrentëve në piano, e ka ndarë çmimin për Lindi dhe Diell Pashën.
Për KOHËN ajo ka thënë se është nder për profesorët dhe shkollat e muzikës kjo pjesëmarrje, por edhe e vlefshme, për shkak të përkushtimit që kërkojnë garat.
“Fëmijët duhet të përgatiten ekstra për këto gara që të prezantohen sa më mirë, deri në perfeksion Mirëpo e kemi parë një mobilitet dhe seriozitet shumë të madh edhe tek fëmijët, por edhe tek prindërit e tyre. Laramania e disiplinave në garë është shumë e madhe dhe kanë mundësi të marrin pjesë të gjithë. Është diçka shumë me vlerë dhe duhet t’i jepet ngjarjes përkrahje e vazhdueshme”, ka thënë profesoresha universitare, Lejla Pula.
Garat “ArsKosova” i sheh si hapësirë për promovimin dhe mbështetjen e muzikantëve të rinj.
“Kosova është një burim i talentëve. Vetëm se ata duhet të zbulohen, të përkrahen, të motivohen, të sillen në bashkëpunim me mësimdhënësit e profesorët”, ka thënë Pula.
Sivjet është zhvilluar edicioni i 19-të i garave ndërkombëtare të muzikantëve të rinj “Ars Kosova”.
Garat janë zhvilluar në disiplinën e violinës, violës, në violonçel, kontrabas, kitarë, piano, solokëndim, flaut, klarinetë, bas-klarinetë, saksofon, fagot, oboa, trompë, trombon, korno, tubë, muzikë dhome, sofleggio dhe kompozim.
Organizatorja e ngjarjes, profesoresha e violinës, Sihana Badivuku, ka thënë se sivjet ka dominuar pjesëmarrja e harkorëve.
“130 kandidatë kanë aplikuar, të cilët i kemi klasifikuar në orare. Ka qenë një nivel i dukshëm dhe shumë i lartë i harkorëve, por edhe i të tjera disiplinave. Harkorët shkëlqyen siç u pa, por edhe kitara”, ka thënë Badivuku.
Sipas saj, viteve të fundit është vërejtur rënie e interesimit për pjesëmarrje në këto gara.
“Në vitet e fundit, prej pandemisë, është zvogëluar numri. Në vitet e para të Festivalit kemi pasur më pak, deri në 80 kandidatë. Kulminacioni ka qenë në vitin 2010 me rreth 300 kandidatë dhe pjesëmarrës nga rajoni e deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Më pas ka rënë niveli. Mund të them se në këto gara interesimi rritet kur fondi i çmimit është më i madh”, ka thënë violinistja Badivuku.
Sivjet juria ka qenë në përbërje nga Ilirjana Dema, Zana Badivuku-Basha dhe Aida Gjikolli dhe Teuta Alimi-Selmani për garën në solfezh, Ilir Kodhima për korno, Avni Krasniqi për trumbetë, Arsim Leka për saksofon, Betim Krasniqi për trombon, Erëmira Çitaku për flaut, Shkumbin Bajraktari e Astrit Mustafa për klarinetë e Meriton Ferizi për garat e fagotit.
Në garat për piano juria ka qenë në përbërje nga Lejla Pula, Zana Abazi-Ramadani, në garat për solokëndim: Mariana Lekaj e Xhemil Rexhepi; Kreshnik Berisha, Erhan Mujka dhe Drilon Çoçaj për garat në kitarë, Kreshnik Aliçkaj për kompozim.
Për violë juria ka qenë në përbërje prej finlandezes Lidija Scepancevic, për violonçel Miltaides Cassaras, kroatja Sanja Drakuliq ka qenë kryetare e jurisë së përgjithshme, por edhe për piano e kompozim, ndërsa portugezi Evgueni Zoudilkine në juritë e harkorëve, në piano e kompozim, si dhe anëtar i jurisë kryesore.
Ai e ka vlerësuar nivelin e muzikantëve të rinj në Kosovë.
“Kam qenë shumë herë në vende të ndryshme dhe kam takuar nivele të ndryshme të përgatitjes. Këta finalistë sot janë të nivelit shumë të lartë, kanë impostim të duarve në mënyrë natyrale tek harkorët, por edhe pianistët. Jam i fascinuar me nivelin e tyre, jam habitur”, ka thënë ai.