Policia e Kosovës ka arrestuar një 56-vjeçar, zyrtar i Parkut Nacional “Sharr”, pasi gjatë kontrollimit iu gjet një pistoletë në veturën me tabela zyrtare.
Po ashtu pas kontrollit në shtëpinë e tij i është gjetur një pushkë.
Këtë e ka konfirmuar për IndeksOnline, zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.
Bytyqi tha se të dyja armët ishin pa leje adekuate nga organet përgjegjëse.
“Në Prizren dje me datë 23.08.2024, rreth orës 22:00 policia, për shkak të disa dyshimeve, kanë kontrolluar një person zyrtar të Parkut Nacional, i cili ishte me automjet zyrtar me tabela zyrtare. Gjatë kontrollit të dyshimtit i është gjetur një armë zjarri – pistoletë Glock me dhjetë fishekë. Gjithashtu me urdhër të prokurorit është kontrolluar edhe shtëpia e të dyshuarit në Prizren dhe është gjetur një pushkë. Pas intervistimit të dyshimtit me vendim të prokurorit i dyshuari (R.K. 56 vjeçar) është ndaluar për 48 orë dhe kundër tij do të ngritet kallëzim penal për veprën penale ” Mbajtje në pronësi, posedim apo kontroll i pa autorizuar i armës”, ka thënë Bytyqi