Policia ka vënë në pranga drejtuesin e Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka. Për të njëjtin hetim që ka çuar në arrestimin e Zarkës, janë lëshuar masa sigurie edhe për 3 persona të tjerë. Përveç prokurorit Zarka, Gjykata e Posaçme ka miratuar kërkesën e SPAK për masa sigurie edhe për Astrit Vladin, avokati Radovan Çela dhe Eriona Daupaj, masa që ende nuk janë ekzekutuar, pasi dyshohet të jenë jashtë vendit.
Daupaj ka shërbyer më parë si oficere e policisë gjyqësore pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe aktualisht është kandidate ne shkollën e Magjistraturës. Burime jo zyrtare bene me dije se ata dyshohen për veprën penale te “ushtrimit të ndikimit të jashtëligjshëm” për një hetim që ka lidhje me dosjen “Toytoa Yaris”, të vitit 2018, kur në një mjet të importuar nga Belgjika u gjeten 3,4 milionë euro cash.
Po sipas burimeve jo zyrtare, në ndihmë të hetimit kanë ardhur të dhënat e përfituara nga zbërthim i aplikacioneve “Sky” dhe “EncroChat”. Aurel Zarka, më 9 maj të 2022 ai u emërua në krye të organit të akuzës në rrethin gjyqësor të Vlorës, pasi më parë kishte kaluar me sukses procesin e vetingut duke u konfirmuar në detyrë nga KPK.