Sot me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është arrestuar ish-presidenti i vendit Ilir Meta.
Veç Metës, burime për mediet bëjnë me dije se Gjykatës e Posaçme GJKKO ka caktuar “detyrim paraqitje” edhe për ish-bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi, aktualisht deputete e Partisë së Lirisë.
Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi ishin në hetim nga Prokuroria e Posaçme akuzuar për pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish.
Meta ka qenë nën hetim për disa muaj, me akuzat që lidhen me një kontratë lobimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pastrimin e dyshuar të parave. Dyshimet përfshijnë edhe kallëzime për shpenzime të paligjshme, përfshirë ndërhyrjet estetike jashtë vendit nga anëtarë të familjes së tij.
Në të kaluarën e tij, Meta ka mbajtur pozicionet më kyçe në shtetin shqiptar, duke përfshirë detyrat e Kryeministrit, Ministrit të Jashtëm, Kryetarit të Kuvendit dhe Presidentit të Republikës. Arrestimi i tij shënon një moment të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit në Shqipëri.
Marrëdhëniet e Meta-s me SPAK kanë qenë të tensionuara. Ai ka pasur përplasje publike me kreun e SPAK, Altin Dumanin, duke e akuzuar strukturën për manipulime politike dhe zbatim urdhrash nga kryeministri aktual, Edi Rama.
Meta ka paraqitur deklarime në SPAK për disa çështje, përfshirë ato që lidhen me mosdeklarimin e pasurisë dhe korrupsionin. Ndërkohë, shoqëria shqiptare pret një konfirmim zyrtar nga SPAK për akuzat e sakta që rëndojnë mbi të.