Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta u vendos në pranga ditën e djeshme (21 tetor) ndërsa sot është zbardhur vendimi i plotë i GJKKO-së. Meta u vendos në pranga në orët e para të mesditës me urdhër të Prokurorisë së Posaçme. Pas arrestimit të Metës, Gjykata e Posaçme ka caktuar dhe masë sigurie detyrim paraqitje për ish-bashkëshorten Monika Kryemadhi.
Në vendimin e GJKKO-së shkruhet se Meta është i dyshuar për kryerjen e veprës “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë” në tre raste nga të cilat në dy raste është kryer në bashkëpunim. Më tej në dosje shtohet se kreu i PL-së akuzohet për “Pastrimi produkteve të veprës penle ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë. Gjithashtu ai akuzohet për “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive, interesaveprivatetë personave të zgjehdur dhe nënpunësve publikë, ose i ccdo personi që ka detyrim ligjor për deklarim” të parashikuara nga nenet 260 e 25, 28/2 dhe 257/a të K. Penal.
GJKKO thekson se janë dokumentuar disa episode ku subjektet e këtij procedimi penal Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi në bashkëpunim mes tyre, por edhe me funksionarë të tjerë publikë janë përfshirë në kryerjen e disa veprave penale. Po ashtu shton se është provuar se ish-Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Ilir Meta, ka përdorur autoritetin dhe influencën e tij për të ndërhyrë në procesin e lidhjes së kontratës ndërmjet shoqërisë “Debt International Advisory” dhe kompanisë CEZ Shpërndarje. Sipas njoftimit kjo kontratë kishte për objekt asistimin në identifikimin dhe arkëtimin e borxheve të prapambetura.
GJKKO shton se këto marrëdhënie ngushtësisht të ndërlidhura kanë ndikuar drejtpërdrejtë në procesin e përzgjedhjes së DIA-s për të kryer shërbimet e mbledhjes së borxheve të CEZ-it, pavarësisht se shoqëria nuk përmbushte të gjitha kriteret ligjore dhe profesionale për të menaxhuar detyrime të kësaj natyre. Në dokument theksohet se shoqëria “Debt International Advisory”, përmes kësaj marrëveshjeje ka përfituar në mënyrë të parregullt shumën prej 649,803,520 lekësh, e cila është konfirmuar nga një vendim gjyqësor i formës së prerë.