Gjykata Speciale sot, ka arrestuar ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Isni Kilaj, ish-shefin e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Bashkim Smakaj dhe vëllain e Fahri dhe Bahri Fazliut, Fadilin.
Pas arrestimit të tyre ka reaguar Partia Demokratike e Kosovës.
Kjo parti thotë se po i ndjek me shqetësim këto zhvillime, duke shtuar ruajtja e standardeve të larta të drejtësisë dhe paanshmërisë janë gurthemeli i funksionimit të çdo institucioni gjyqësor.
“PDK thekson rëndësinë e ruajtjes së standardeve më të larta të drejtësisë dhe të paanshmërisë, që janë gurthemeli i funksionimit të çdo institucioni gjyqësor, përfshirë Dhomat e Specializuara. Besojmë fuqimisht se drejtësia dhe paanshmëria nuk janë vetëm kërkesa, por kushte të domosdoshme për një proces të drejtë dhe të besueshëm.”, thuhet në ragim.
Sipas PDK-së, Dhomat e Specializuara u krijuan për të siguruar drejtësi, bazuar në standardet evropiane dhe jo për të krijuar spektakle publike në emër të saj.
“Çdo devijim nga ky mandat, përmes veprimeve që mund të minojnë besimin e qytetarëve dhe integritetin e drejtësisë, konsiderojmë se është i gabuar.”
Në reagim thuhet se është thelbësore që të gjitha proceset e zhvilluara nga Dhomat e Specializuara të jenë të bazuara në transparencë të plotë dhe pa tejkaluar kompetencat e tyre.
PDK po ashtu, shpreh shqetësim “në lidhje me vonesat e gjata dhe mungesën e transparencës në proceset gjyqësore ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe zyrtarëve të lartë shtetërorë”.
“PDK ka mbështetur krijimin e kësaj gjykate, me besimin dhe garancitë e dhëna nga aleatët tanë se kjo gjykatë do të funksiononte mbi parime të qarta të transparencës dhe demokracisë. Çdo qytetar i Kosovës dhe secili i akuzuar ka të drejtë të trajtohet pa paragjykime, me paanshmëri dhe drejtësi të plotë.”
PDK ka thënë se “parashtresat e fundit nga mbrojtja e katër të akuzuarve në këtë proces, kanë ngritur shqetësime serioze për trajtimin jo të drejtë, me brenga për shkeljen e parimit të baraizë dhe prezumimit të pafajësisë.”
“Apelojmë që Dhomat e Specializuara të përmbushin detyrën e tyre me profesionalizëm dhe paanshmëri, duke respektuar parimet themelore të drejtësisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit.”