Gjykata Themelore në Mitrovicën e Veriut vendosi arrest shtëpiak për 30 ditë për katër të rinj serbë të ndaluar natën mes të martës dhe të mërkurës në këtë qytet, ka konfirmuar avokati Nebojsha Vllajiq.
Vllajiq ka thënë se kjo “është një fitore e vogël e drejtësisë”, pasi prokurori ka kërkuar që ata të mbahen në paraburgim.
“Kjo është një fitore e vogël e drejtësisë. E vogël, sepse u caktua masa e arrestit shtëpiak. Ne besojmë se nuk duhej të vinte deri këtu. Prandaj e quajmë një fitore të vogël, sepse prokurori kërkoi që të caktohen paraburgimi. Ne kemi konsideruar se kjo “nuk është e nevojshme dhe se është e tepërt”, ka thënë Vllajiq.
Prandaj, thotë ai, mund të jenë pjesërisht të kënaqur me vendimin për arrest shtëpiak, transmeton Paparaci.
“Jemi të kënaqur që dëshmuam se caktimi i masës së paraburgimit do të ishte një reagim i tepruar ndaj një ngjarjeje të “parëndësishme dhe të pafajshme”, ku fatkeqësisht mund të fajësohen të dyja palët, por nëse vetëm njëra palë nxjerr pasojat prej saj, nuk do të ishte e drejtë”, ka thënë Vllajiq.
Ai po ashtu ka bërë të ditur se meqenëse gjykata ka refuzuar propozimin e prokurorit për t’i mbajtur të pandehurit në paraburgim, ata do të lirohen dhe do të dërgohen në arrest shtëpiak.
Gjykatësi e mori vendimin për arrest shtëpiak pas marrjes në pyetje disa orëshe të tre prej katër të rinjve, e cila filloi rreth orës 14:00.
Të rinjtë akuzohen se kanë sulmuar zyrtarët policor dhe janë arrestuar kur po ktheheshin nga një festim.