Performancat e tij konsistente dhe të sigurta në portë i fituan atij vlerësime të larta, duke e vendosur atë në qendër të vëmendjes në skenën ndërkombëtare, pasi ai shpesh herë ka marrë vlerësimin me notën 10 nga faqet e specilaizuara për vlerësimet e futbollistëve e që për portierë është një notë e rrallë.
Në verën e e vitit 2024, Muric bëri një lëvizje të re në karrierën e tij, duke nënshkruar për Ipswich Town, një hap që u pa si një mundësi për të marrë më shumë kohë loje dhe për të zhvilluar më tej aftësitë e tij.
Për 26-vjeçarin, ky transferim ishte i rëndësishëm, pasi u iu bashkua një skuadre që besonte në të dhe i dha çelësat e portës.
Në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, Muric ka folur për vitin e lënë pasë, duke e konsideruar si më të mirin në karrierë deri më tani, por me shpresë se vite edhe më tëmira do të ketë në të ardhmen.
“Ka qenë një vit i mirë, ndoshta një nga më të mirët e mi deri tani, por nuk jam i sigurt sepse besoj se vite edhe më të mira do të vijnë”, thotë fillimisht Aro Muric.
Aro është i vetmi reprezentues kosovar që luan në kampionatin anglez, derisa atij i jep kjo një kënaqësi.
“Të luaj në ligën më të mirë në botë dhe të përfaqësoj vendin tim është një kënaqësi e madhe për mua”, vazhdon tutje Aro.
Përkundër se ka bërë disa paraqitje të shkëlqyera këtë vit në Ligën Premier, Aro i vlerëson të gjitha pa veçuar ndonjërën.
“Nuk kam ndonjë ndeshje të preferuar specifike, të gjitha ato që i kam bërë më pëlqejnë”.
Përkundër se ka pasur ndeshje kur ka bërë gabime, Aro është rikthyer në ndeshjet tjera duke bërë pritje të jashtëzakonshme. Ai ka zbuluar se gjithmonë ka pasur përkrahjen e trajnerin Kieran McKenna, por edhe të stafit të tij.
“Trajneri ka qenë i mrekullueshëm me mua dhe i gjithë stafi gjithashtu gjatë gjithë kohës që kam jam këtu tek Ipswich”.
Tutje reprezentuesi kosovar foli edhe për vitin 2024 me fanellën e Kosovës, duke thënë se ka qenë një fillim i vështirë, por që do t’i arrijnë qëllimet.
“Sa i përket Kombëtares së Kosovës, mendoj se ishte një fillim i vështirë, por siç thashë, do të arrijmë qëllimet tona nëse të gjithë angazhohen, dhe me angazhime nënkuptoj përkushtimin në fushën e blertë”, tha Aro që foli edhe për atë se çka ndodhi në Rumani, ku u ndërpre ndeshja mes Rumanisë dhe Kosovës për shkak të thirrjeve raciste të tifozërisë vendase.
“Në Rumani nuk ka ndodhur asgjë e veçantë, ndodhi ashtu siç pritej. E rëndësishme është që ne nuk do ta lejojmë kurrë askënd mos të na respektojnë shtetin tonë, pavarësisht se cilat janë pasojat”, tha Aro.
Në Mars Dardanët do t’i zhvillojnë dy ndeshje të rëndësishme ndaj Islandës për t’u ngritur në Ligën B të Ligës së Kombeve, derisa Aro thotë se kanë kapacitet që t’i fitojnë këto ndeshje.
“Kemi një kundërshtar të vështirë që duhet respektuar. Gjithsesi ne jemi Kosova, kemi shumë kualitet në radhët tona dhe duhet të fitojmë për të kaluar në Ligën B”, vazhdoi tutje Aro Muric.
Muric është lindur dhe rritur në Zvicër, shtet me të cilin Kosova është përballur tanimë në tre ndeshje dhe nuk ka humbur asnjëherë.
Dardanët kanë barazuar në tre ndeshje me helvetikët, derisa do të kenë dy përballje të tjera në vitin 2025 në kualifikueset për Kampionatin Botërorë.
I pyetur nëse Kosova ka gjasa të shkoj në Botërorë nga grupi ku është edhe Suedia e Sllovenia dhe ta lënë Zvicrën në shtëpi, ai thotë se do të bëjnë gjithçka për këtë. “Sigurisht se mund t’i lëmë në shtëpi. Kemi treguar në ndeshjet e fundit kundër tyre dhe është mirë që nuk jemi mposhtur. Kështu do të bëjmë gjithçka për ta mbajtur të njëjtin ritëm dhe ta dërgojmë vendin tonë në Botërorë”, tha Aro.
Përveç lëvdatave dhe vlerësimeve, Muric merr edhe kritika, gjithsesi ai thotë se ato nuk e shqetësojnë dhe mundohet të mësoj nga to.
“Nuk do të ishte interesante pa kritika, kështu që nuk më shqetësojnë ato. Unë mund të mësoj nga kritikat dhe gjithmonë i marrë si njësfidë, kështu që ato te unë ndikojnë vetëm në mënyrë pozitive”, deklaroi portieri dardan.
Për fund, Aro thotë se objektivi i tij në vitin 2025 shtë të vazhdoj tëpunojë dhe të përmirësohet në çdo aspekt.
“Thjesht dua të punoj për veten time dhe të përmirësohem në çdo aspekt të mundshëm çdo ditë”, përfundoi Aro Muric.