Armatimi që u gjet dhe konfiskua dje në Banjskë të Zveçanit ishte i fshehur në banjon e hotelit.
Aty Policia ka gjetur një kallash, katër karikatorë, 103 fishekë kalibrash të ndryshëm, kapelë, bluza dhe pantallona ushtarake, një thikë, shallë ushtarake dhe antiplumb me pajisje tjera.
“ARMËMBAJTJE PA LEJE – Fsh. Banjskë, Zveçan 16.08.2024 – 15:15. Njësiti i hetuesisë gjatë kontrollit në banjon e një hoteli ka gjetur dhe konfiskuar: një AK-47, katër karikatorë, 103 fishekë kalibrash të ndryshëm, kapelë, bluza dhe pantallona ushtarakë, një thikë, shallë ushtarake, antiplumb me pajisje tjera. Rasti duke u hetuar”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë.
Kompleksi Rajska Banja gjendet në Banjskë të komunës së Zveçanit – zonë e banuar me shumicë serbe.
Fshati Banjskë mori vëmendje të posaçme në shtator vitit të shkaur, kur një grup i armatosur i serbëve sulmoi Policinë e Kosovës, duke vrarë policin Afrim Bunjaku.
Përgjegjësinë për organizimin dhe pjesëmarrje në sulm e mori Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Në ambientet e kompleksit Rajska Banja, Policia e Kosovës arrestoi atëkohë dy persona për armëmbajtje pa leje.