Hetuesit policor nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë e Policisë së Kosovës, njësia në Prishtinë, gjatë punës aktive në teren, me datë 21.12.2024 rreth orës 19:30, në rrugën “Fehmi Agani” në Prishtinë kanë ndaluar veturën e tipit GOLF 7, ngjyrë e bardhë me targa vendore të cilën ishte duke e drejtuar i dyshuari me iniciale (I.R.) dhe pasagjerë në veturë ndodheshin edhe dy persona të tjerë.
Gjatë kontrollit sipërfaqësor tek tre personat dhe në veturë nuk është gjetur asgjë e dyshuar, megjithatë pas dyshimeve të ngritura të njëjtit janë shoqëruar në Stacionin Policor Qendra në Prishtinë për kontroll më të detajuar.
Gjatë realizimit të kontrollit në trup tek i dyshuari i lartcekur me iniciale (I.R.) është gjetur një qese me pluhur ngjyrë e bardhë e dyshuar për narkotik të llojit kokainë me peshë 0.6 gramë si dhe në kuletën e tij është gjetur një qese me pluhur ngjyre të bardhe e dyshuar po ashtu e dyshuar si narkotik i llojit kokainë me peshë 0.6 gramë, përderisa tek dy personat e tjerë nuk është gjetur asgjë e dyshuar.
Lidhur me vazhdimin e detajuar të kontrollit të veturës është kërkuar ndihmë nga njësiti K-9 ( njësiti me qen policor), i cila ka dal në vendin e ngjarjes. I dyshuari me të parë qenin e Policisë ka treguar se në veturë nën mbishtesën e dorës në mes të shoferit dhe pasagjerit ka të fshehur një sasi të kokainës si dhe në dollapin poshtë timonit ka një revole.
Kontrolli policor ka vazhduar dhe në këto dy vende të potencuara me lart në veturë janë gjetur të fshehura: 29 qese të mbushura me pluhur ngjyrë të bardhë të dyshuar për narkotik të llojit kokainë me peshë 16.7 gramë, një revole e tipit SIG SAUER, me një karikator, si dhe 21 fishek të kalibrit 9mm. Në kuletën e të dyshuarit po ashtu janë gjet të holla në vlerë prej 570 euro dhe 50 franga.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar dhe me urdhër të tij i dyshuari dërgohet në mbajtje prej 48 orësh për veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll dhe posedim i pa autorizuar i armës” Dy personat tjerë intervistohen në cilësi të dëshmitarit.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në parandalimin e të gjitha veprimeve të kundërligjshme dhe masa rigoroze do të ndërmerren në bashkëpunim me organet e drejtësisë ndaj të gjithë atyre individëve apo grupeve që përfshihen në aktivitete kriminale.