Pas fitores së merituar ndaj Lituanisë në Kaunas, Kombëtarja e Kosovës i është rikthyer sot stërvitjeve. Në këtë seancë morën pjesë futbollistët që u aktivizuan si zëvendësues gjatë ndeshjes së djeshme dhe ata që nuk patën minuta në fushë. Ndërkohë, futbollistët titullarë u përqendruan në rigjenerimin e tyre në hotel për të qenë në formën më të mirë për përballjen e radhës.
Stërvitja e sotme ishte me atmosferë pozitive dhe entuziazëm të dukshëm tek lojtarët, të cilët punuan me përkushtim dhe energji të lartë, të motivuar nga fitorja e fundit. Përzgjedhësi Franco Foda, duke pasur parasysh numrin e kufizuar të futbollistëve në këtë seancë, punoi në disa aspekte të veçanta të lojës, për të përgatitur ekipin në mënyrën më optimale.
Artan Hoxha: Serbët nuk e kanë veç me Kosovën, por me të gjithë shqiptarët
Në këtë stërvitje ka punuar me intensitet të plotë edhe portieri Arijanet Muric, i cili ditëve të fundit ka vuajtur nga lëndimi. Përzgjedhësi Franco Foda me kërkesën e përzgjedhësit të Kombëtares U21, Afrim Tovërlani ka liruar nga grumbullimi Andi Hotin, i cili ka udhëtuar për në Estoni, për ndeshjen e fundit të ciklit kualifikues për Euro 2025.
Ndërkohë, në Prishtinë ka arritur tashmë edhe Kombëtarja e Qipros. Dardanët do ta zhvillojnë nesër stërvitjen e fundit përpara se të përballen me qipriotët të martën, në orën 20:45. Në ndeshjen e parë, të luajtur muajin e kaluar në Larnaca, Kosova fitoi bindshëm 4:0. Hendikep për përzgjedhësin Foda do të jetë Elvis Rexhbeçaj për shkak të kartonëve, mirëpo entuziazmi për fitoren e radhës është i madh, duke pasur parasysh edhe mbështetjen që ekipi do ta ketë nga tifozët ‘Dardanët’.
Pas stërvitjes, Florent Hadërgjonaj dhe Fisnik Asllani, të cilët u aktivizuan si zëvendësues në ndeshjen ndaj Lituanisë, ndanë mendimet e tyre rreth paraqitjes së ekipit në Kaunas, por edhe për pritjet e tyre për ballafaqimin me qipriotët. Që të dy lojtarët shprehën besimin e plotë për një tjetër fitore, duke nënvizuar se ekipi është i gatshëm dhe i motivuar për të siguruar tri pikë të tjera.
Andi Hoti rikthehet te Kosova U21, Toverlani e kërkoi për duelin ndaj Estonisë!