Reprezentuesi i Kombëtares së Kosovës, Andi Hoti ka kompletuar huazimin e tij nga Magdeburg te Dynamo Dresdes deri në fund të sezonit aktual.
Kapiteni i Kosovës U-21 ka ndryshuar ambient, por jo edhe shtet, pasi ka vendosur të kalojë nga Bundesliga 2 në Bundesliga 3.
Hoti ishte pjesë e Magdeburgut në Bundesliga 2 në gjashtë muajt e parë të këtij sezoni, por hapësirat e pakta bënë që ai të kalojë te Dynamo Dresden, i cili gjenden në pozitën e parë dhe favorit për t’u ngjitur një kategori më lartë.
Është vet faqja zyrtare e Dynamo Dresdenit që ka njoftuar marrëveshjen me Hotin, të cilin e kanë lavdëruar pasi më parë ka punuar me trajnerin e tyre.
“SG Dynamo Dresden ka nënshkruar me Andi Hotin të premten, më 3 janar 2025. Qendërmbrojtësi 21-vjeçar po transferohet në Dresden në formë huazimi nga FC Magdeburg”.
“Kryetrajneri Thomas Stamm tashmë ka punuar me Hotin në SC Freiburg II në sezonin 2022/23”, thuhet në komunikatën e klubit gjerman.
Ndryshe, Hoti karrierën e ka filluar me moshat e FC Zurichit, teksa në janar të vitit 2020 u transferua te Inter U17, ku luajti deri në U19 dhe fitoi kampionatin italian të të rinjve Primavera.
Më pas ai luajti si huazim për ekipin e dytë të SC Freiburg në sezonin 2022/23 nën drejtimin e trajnerit Thomas Stamm. Pas huazimit, 21-vjeçari u transferua nga Interi në Magdeburg në vitin 2023.
Që atëherë ai ka luajtur 24 ndeshje për FCM në Bundesliga 2 dhe Kupën DFB. Më 18 nëntor 2024, Hoti bëri debutimin e tij për kombëtaren e parë të Kosovës në Ligën e Kombeve të UEFA-s.