Praktikë e detyrueshme në arsimin e mesëm dhe të lartë. Legalizim i punësimit të emigrantëve. Nëpërmjet ndryshimeve në arsim drejt fuqisë punëtore të kualifikuar dhe reduktim të papunësisë. Rritje ekonomike prej 4%, investime të huaja në inovacion dhe për tranzicion të gjelbër. Strategjia e sapo miratuar Kombëtare e Zhvillimit 2024-2044 ka vendosur “objektiva” të larta që duhet të jenë synim i çdo përbërjeje qeverisëse, pavarësisht se nga cila parti do të udhëhiqet, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.
Objektivat ekonomike
Rritje e qëndrueshme prej 4% që do ta realizojë ekonomia mbi bazën e një modeli të ri – rritje e produktivitetit, inovacionit, digjitalizimit edhe atë si rezultat i “tranzicionit të gjelbër”. Për të arritur këtë objektiv, shpenzimet kapitale duhet të jenë mesatarisht në nivelin prej 4,9% të PBB-së në vit, investimet e huaja direkte 3,7% dhe investimet e të gjithë sektorit privat rreth 28% të PBB-së.
Këto rezultate ambicioze ekonomike duhet të realizohen deri në vitin 2028. Ato janë pjesë e Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit 2024 – 2044 që sapo u miratua dhe që mori “vizën” nga Parlamenti, e në hartimin e së cilës punoi edhe Qeveria e mëparshme. Dokumenti i ri i përcakton synimet strategjike për realizimin e të cilave duhet të punojë çdo Qeveri, pavarësisht nga “këmisha” partiake.
Për sa i përket ekonomisë, janë vendosur qëllime të shumta – një prej tyre është edhe legalizimi i punësimit të emigrantëve (të huajve, emigrantëve) nga vendet e treta, si masë për amortizimin e deficitit të fuqisë punëtore në vend.
“Menaxhimi dhe shfrytëzimi efektiv i potencialit të migrimeve të jashtme dhe sigurimi i integrimit të rregulluar në tregun e punës”- thuhet në SKZH dhe kjo duhet të zbatohet deri në vitin 2028, kurse efekti i kësaj mase duhet të jetë rritja e punësimit në vend në mbi 53%.
Për kompanitë paralajmërohet siguri juridike, por edhe taksim i drejtë.
“Përmirësimi i segmenteve kyçe të klimës së biznesit, parandalimi i korrupsionit, ekonomia joformale dhe konkurrenca e pandershme, rregullimi i drejtë i bizneseve, një sistem i drejtë tatimor, një politikë e strukturuar mirë e tërheqjes së IHD-ve, etj.” – thuhet në strategji, e cila gjithashtu duhet të realizohet deri në vitin 2028.
Shteti do të fokusohet në tërheqjen e investimeve të huaja “inovatore” dhe “të gjelbra”, ndërsa kompanitë vendase do të marrin mbështetje për rritjen e konkurrencës.
“Pjesëmarrje më e madhe e kredive për mbështetjen e rritjes së gjelbër dhe digjitalizimit, shfrytëzim më i madh i fondeve evropiane” – thuhet në planin e zbatimit të Strategjisë.
Objektivat arsimore
Deficiti i fuqisë punëtore të kualifikuar, për shkak të largimit të kuadrove jashtë vendit, por edhe për shkak të konceptit aktual të arsimit, është një nga problemet për të cilat do të kërkohet zgjidhje – pikërisht përmes arsimit.
Parashikohet legjislacion për mësimin e detyrueshëm praktik, jo vetëm në arsimin e mesëm, por edhe atë të lartë me përfshirje të drejtpërdrejtë të sektorit privat.
“Përfaqësim më i madh dhe cilësi më e mirë e praktikës, përfshirje e sektorit të biznesit në përgatitjen e plan-programeve mësimore, masa nxitëse për kompanitë që organizojnë mësim praktik dhe kompensime të përshtatshme për praktikantët. Cilësi më e mirë e praktikës së detyrueshme në fakultete” – thuhet në Strategji.
Me ndryshimet në arsim dhe në tregun e punës pritet të arrihen disa synime:
Shkalla e papunësisë së të rinjve të moshës 15 deri në 29 vjeç të bjerë nën 30%
Shkalla e papunësisë të jetë 10% e fuqisë punëtore
Pjesëmarrja e punonjësve informal në numrin e përgjithshëm të të punësuarve të reduktohet në 8%
Një nga objektivat është edhe zhvillimi i barabartë rajonal. Deri në vitin 2028, mesatarisht, fondet mbi këtë bazë duhet të arrijnë në 1% të PBB-së, kurse niveli i decentralizimit fiskal duhet të arrijë në 5% të PBB-së.