Avancimi i Kosovës në strukturat euroatlantike dhe partneriteti me SHBA-në, ishin temë e takimit të zyrtarit të lartë amerikan O’Brien me kryeministrit Kurti.
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, një ditë më pas ka thënë se kanë pasur biseda të rëndësishme për ta rritur paqen dhe prosperitetin në rajon. Ndërsa, analistët politikë kërkojnë që Kosova t’i japë prioritet diplomacisë e të bashkërendohet me partnerët e saj.
Ngecja në dialog, rrjedhimisht moszbatimi i marrëveshjeve të arritura, si dhe mosdërgimi i draft-statutit të asociacionit të komunave me shumicë serbe për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese, nënkupton drejtpërdrejt humbje të mundësive, të cilat i ka përpara në rrugën e vet Kosova.
Kështu vlerësohen mesazhet që la dje në Kosovë, ndihmëssekretari amerikan i shtetit, James O’Brien.
“Kosova ta prioritizoj diplomacinë, të bashkërendohet me partnerët e saj më të besueshëm e jo të veprojë, krye më vete, dhe jo në terren të gabuar… Obrien e tha vet, çdo vonesë, sjell pasoja për Kosovën”, ka thënë Shkodran Ramadani, njohës i proceseve politike, shkruan RTK.
E për një njohës tjetër, Qeveria e Kosovës nuk humb nëse e dërgon gjatë kësaj kohe, draft-statutin e asociacionit në Kushtetuese.
“Qeveria ka bërë një veprim racional, me vendimin për mallrat serbe, dhe besoj se qeveria në muajt e fundit do të bëjë edhe një veprim tjetër të tillë, duke dërguar në kushtetuese draftin, sepse ajo do të marr një kohë minimum, dy tre muaj, deri të vlerësohet, dhe qeveria ka shumë variacione me të cilat mund të lozë, për të ruajtur raportet me bashkësinë ndërkombëtare”, ka thënë për RTK, Dritëro Arifi, profesor i shkencave politi.
Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, që ishte pjesë e takimit, që zgjati mbi dy orë e gjysmë, mes kryeministrit Kurti e zyrtarit të lartë amerikan, O’Brien, shkroi se kanë pasur biseda të rëndësishme me liderët kosovarë për partneritetin me SHBA-në, si dhe për avancimin e rrugës euroatlantike të Kosovës.
“Patëm biseda të rëndësishme me liderët e Qeverisë për partneritetin me ne për të rritur paqen dhe prosperitetin, për të siguruar që të gjithë qytetarët e Kosovës të jetojnë në kushte të dinjitetshme dhe të sigurta dhe për ta avancuar Kosovën në rrugën euroatlantike si një shtet modern dhe europian”.
Derisa zyra e kryeministrit në njoftimin e saj, pas takimit, tha se në takim u diskutuan marrëdhëniet dypalëshe dhe fushat në të cilat mund të thellohen edhe më tej raportet e ngushta ndërmjet dy vendeve. O’Brien vlerësoi se herë pas here kanë mospajtime, por tha se kjo ndodh mes miqve, duke shtuar se Qeveria e Kosovës duhet të zhvillojë më shumë diskutime para se të marrë vendime, që mund të çojnë në mospajtime.