Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, dënoi sulmin me mjete shpërthyese në kanalin e “Ibër Lepencit”, sulm ky që ndodhi sonte në rrethinë të Zubin Potokut.
Orav deklaroi se ai i ka ofruar ndihmën e BE-së autoriteteve të Kosovës, shkruan IndeksOnline.
“Dënoj incidentin e rëndë që shkaktoi dëme në kanalin ujor në Zubin Potok që po privon pjesë të konsiderueshme të Kosovës nga furnizimi me ujë. Unë u kam ofruar ndihmën e BE-së autoriteteve të Kosovës. Ngjarja duhet të hetohet dhe përgjegjësit të vihen para drejtësisë”, shkroi Orav në “X”.
Kujtojmë se më herët, rastin për IndeksOnline e konfirmoi edhe kryeshefi i KRU-së, Faruk Mujka, ku njoftoi se po mundohen të sanojnë dëmin.
“Po. Këtë punë e ka marrë në kompetencë policia. Po, e kemi një dëmtim dhe për momentin e kemi ndaluar ujin dhe po këqyrim me e sanu sa më shpejt, sepse prej aty po lirohet edhe ujësjellësit edhe KEK-u. Kështu që, po këqyrim sa më shpejt me e rregullu këtë punë”, tha Mujka.
I pyetur nëse dyshohet të ketë ndodhur qëllimisht kjo gjë, Mujka u shpreh se s’ka si të jetë ndryshe.
“Në momentin kur e gjunë dikush ndonjë dinamit aty, e qëllimshme është ajo, s’ka si të jetë tjetër”, përfundoi Mujka.