Të dielën e 9 shkurtit, mbi 40 për qind e qytetarëve me të drejtë vote (afro 800 mijë) votuan për t’i zgjedhur përfaqësuesit e tyre politik.
Nga të dhënat e procesuara të deritanishme del se janë numëruar 99.72 për qind e votave.
E para është Lëvizja Vetëvendosje, 341 mijë e 672 vota apo 40.84 për qind.
Më pas vjen, Partia Demokratike e Kosovës, me 184 mijë e 499 vota, apo 22.05 për qind.
Vendin e tretë e zë Lidhja Demokratike e Kosovës, me 147 mijë e 827 vota apo 17.67 për qind.
Derisa AAK me partnerët e koalicionit “Për Kosovën Fituese”, renditet e katërta me 62 mijë e 309 vota apo 7.45 për qind.
Rezultatet aktuale zgjedhore i ka komentuar edhe Ambasadori i Britanisë së Madhe, Jonathan Hargreaves.
Ai për Klankosova.tv tha se është e rëndësishme për Kosovën që Kuvendi dhe qeveria e re të mund të formohen sa më shpejt që të jetë e mundur.
”Në mënyrë që Kosova t’u shërbejë të gjithë qytetarëve të saj dhe të angazhohet plotësisht në arritjen e përparimit në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Kosova është një partner i ngushtë dhe i çmuar i Britanisë së Madhe dhe mezi pres të vazhdojmë bashkëpunimin tonë nën qeverinë e re”, deklaroi diplomati britanik.
Hargreaves, u shpreh i kënaqur që pa shumë qytetarë të Kosovës në ditën e zgjedhjeve, duke ushtruar të drejtën e tyre demokratike për të votuar.
“Jemi të lumtur që kemi qenë në gjendje të vendosim një ekip të fortë vëzhguesish bashkë me Misionin e Vëzhgimit të Zgjedhjeve të BE-së. E përgëzoj Kosovën për një proces të qetë dhe paqësor zgjedhor, me pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve. Për një vend kaq të ri, është e dukshme fuqia dhe funksionimi i institucioneve të pavarura të Kosovës”, tha ai./Indeksonline/