Pas thirrjes nga Komisioni parlamentar i Medias, Këshilli Drejtues i RTSH-së, vendosi me shumicë votash që të pezullojë procesin e zgjedhjes së Drejtorit të ri të RTSH-së. Gara është pezulluar deri kur të zhvillohet një seancë dëgjimore në Komisionin për Mediat javën e ardhshme.
Në një mbledhje urgjente të zhvilluar sot nën drejtimin e nënkryetarit Gëzim Podgorica, me 9 vota pro u vendos të zhbëhet vendimi i mbuluar me paligjshmëri që skualifikoi nga gara 8 kandidatë dhe la në përballje vetëm 2 prej tyre, drejtuesen e komanduar Aurora Polon dhe Jetmir Shpuzën.
Vendimi erdhi pasi kryetarja e komisionit të Medias, deputetja demokrate Ina Zhupa dhe nënkryetarja socialiste Evis Kushi, kërkuan ndërprerjen e procesit dhe rikthimin në garë të të gjithë kandidatëve, ndryshe paralajmëruan deri në shkarkim të anëtarëve të Këshillit drejtues të RTSH-së
Gara për zgjedhjen e drejtorit të ri të Radio Televizionit Shqiptar u mbulua nga akuzat për paligjshmëri, pasi Këshilli Drejtues vendosi të hënën me shumicë votash që të skualifikojë 3 nga 5 kandidatët me pretendimin se nuk plotësojnë kriteret për kualifikim. Pesë kandidatë të tjerë ishin skualifikuar më parë për mangësi në dosjet e aplikimit.
Gjatë votimit më 27 janar u skualifikuan nga gara kandidatët Eni Vasili, Kliton Rama dhe Ermal Hoxha, duke thirrur në dëgjesë vetëm dy kandidatë; Jetmir Shpuzën dhe Aurora Polon, kjo e fundit drejtore e komanduar e RTSH-së pas dorëheqjes së Alfred Pezës.
Vendimi i Këshillit Drejtues për pezullimin e garës