Agjencia për Informim dhe Privatësi ka lansuar të hënën platformën për identifikimin e rrjedhjes së të dhënave personale.
Në Ditën Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, u tha se kjo platformë siguron që institucionet të jenë më të përgatitura për të siguruar të dhënat personale, rrjedhjen e tyre dhe mbrojtje nga sulmet e mundshme kibernetike.
Komisionerja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva-Dermaku, tha se ky projekt paraqet avancim shtesë për zbatimin e ligjit dhe forcimin e mekanizmave për kontrolle shtesë.
“Platforma që do të prezantojmë e mbështetur nga ambasada amerikane në Kosovë paraqet një avancim shtesë në angazhimin tonë për të garantuar zbatimin efektiv të Ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale. Po ashtu edhe forcimin e mekanizmave të kontrollit të cilat kanë për qëllim sigurimin e monitorimit të publikimit të paautorizuar të të dhënave personale të qytetarëve tanë. Me gjithë përpjekjet angazhimin dhe përkushtimin tonë të përbashkët, nevojat për forcimin dhe avancimin për mbrojtjen e të dhënave personale në Kosovë vazhdon të mbetet prioritet i joni. Sigurimi i zbatimit të ligjit dhe ndërgjegjësimi i kontrolluesit publik dhe privat për veprimet që duhet t’i marrin në raport me mbrojtjen e të dhënave personale”, tha ajo.
Si sukses të vitit të kaluar, Sogojeva-Dermaku e konsideron pranimin e institucionit që ajo e drejton në Bordin Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave si anëtare vëzhguese.